Komunat të cilat nuk morën të holla nga ndarja e fazës së parë të mjeteve të parapara për projekte infrastrukture, nuk janë të kënaqura me sjelljen e Qeverisë. Nga BDI dyshojnë se ndarja e buxhetit është bërë nga një grup i ngushtë njerëzish, ashtu siç kanë pasur dëshirë.
“Do të marr një shembull, komunën e Tetovës dhe komunën e Kumanovës në të cilat kemi një disbalans, kemi një reflektim shumë të qartë se nuk është ndarja e mjeteve në mënyrë transparente dhe të duhur”, tha Armend Arsllani – BDI.
E pakënaqur mbeti edhe e para e Shkupit, Danella Arsovska. Thotë se Qeveria është në gjendje mentale sektare.
“Vendimi i Qeverisë së R. së Maqedonisë të mos shpërndajë mjete për projektet për të cilat aplikoi qyteti i Shkupit, edhe një herë konfirmon gjendjen mentale sektare të Qeverisë, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Me këtë vendim dëshmoi se sueta e tij është më e rëndësishme se cila do nevojë e qytetarëve, ndërsa me ata që nuk mendojnë njëjtë, përballet me segrecion dhe përndjekje politike, duke dëshmuar se nuk ka asnjë kapacitet demokratik apo të liderit”, deklaroi Danella Arsovska – Kryetare e Shkupit.
Për këto akuza, kreu i Qeverisë Hristijan Mickoski, tha se ndonjëherë është më mirë të heshtet. Mosndarjen e mjeteve për katër komunat, e arsyeton se nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë. Por këtë thotë se kanë mundësi ta bëjnë përsëri.
“Për komunat tjera të cilat fituan projekte, të themi ndoshta kanë konkuruar me pesë projekte e kanë fituar tre e ndërsa për dy tjerat ka munguar dokumentacion i azhuruar e kështu me radhë por këta fare nuk kanë projekte të miratuara sepse nuk kanë dorëzuar dokumentacion projektues në përputhje me thirrjen publike. Pres që t’i dorëzojnë. Derisa jemi te qyteti i Shkupit, Mickoski mbrëmë në një debat televiziv, tha se Arsovska nuk ka arritur t’i shpenzojë 10 milion eurot e parapara për bulevarin Hasan Prishtina, e si pret që të marrë fonde të tjera”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
E pakënaqur mbeti edhe komuna e Sarajit. Thonë se në plan kishin rikonstruimin e dy rrugëve, atë në fshatin Llaskarcë si dhe në fshatin Sfillare. Të përjashtuar mbetën edhe komunat e Strumicës dhe Tearcës. /Alsat.mk