Importues, shpeditorë, shoferë të punësuar në kompani transporti dhe doganierë, pra gjithsej 19 persona dhe 5 kompani, nga të cilat dy kompani shpedicioni, dy importues dhe një treg automjetesh, në mënyrë të organizuar kanë kryer vepra penale me automjete të përdorura, ku këto automjete janë vendosur në qarkullim në mënyrë të paligjshme dhe kanë përfunduar në treg të makinave në të gjithë vendin, pa paguar tatime për import. Ky është epilogu i rastit të ri të kontrabandës së automjeteve, në të cilin janë të përfshirë drejtpërdrejt 8 doganierë, ndaj të cilëve, përveç penale, po zhvillohen edhe procedime disiplinore.
“Kryerësit e veprave penale, të cilët ishin pjesëmarrës në një skemë të organizuar mirë, kanë bërë dokumente të falsifikuara shoqëruese, për mbarimin e procedurës doganore duke e bërë transitin në mënyrë fiktive, pa hapur procedurë doganore. Kështu, pa i paguar shpenzimet doganore dhe shpenzimet e tjera për import, automjetet janë lëshuar në qarkullim dhe të njëjtat kanë përfunduar në tregjet e ndryshme të veturave në shtet”, tha Boban Nikollovski.
Kallëzimet penale deri në Prokurorinë Themelore janë për vepra të kryera penale si: mashtrim doganor, fshehje të mallrave nga vepra penale “mashtrim doganor”, falsifikim dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimet.
Përndryshe, vlera e 35-të automjeteve që i zbuloi dogana se kanë hyrë në shtet me kontrabandë, arrin 325 mijë euro, ndërsa dëmi i buxhetit shtetëror është 145 mijë euro. Këto automjete janë nën mbikëqyrje të Doganës. Por nga Dogana thonë se ndoshta dëmi është edhe më i madh sepse dyshojnë se kjo skemë e paligjshme është përsëritur me vite të tëra. Përndryshe, pjesa më e madhe e automjeteve janë gjetur në disa tregje për automjete, por disa prej tyre tashmë u janë shitur qytetarëve.
“Kur do të përfundojë e gjithë procedurë, këto automjete do të duhej të përfundonin në Agjenci për pronë të konfiskuar në mënyrë të përkohshme, pastaj ka procedurë sipas së cilës mund të vendosen në ankand publik”, tha Nikollovski.
Praktika tregon se shumë rrallë ndodh që automjetet e konfiskuara t’u kthehen qytetarëve që i kanë blerë. Nga Dogana paralajmërojnë se hetimi mund të zgjerohet edhe me kallëzime të tjera penale kundër personave të tjerë, pas çka disa prej tyre do të akuzohen për përsëritjen e veprave të ngjashme penale.