Dushan Teodoroviç, akademik serb, duke folur për mediat serbe rreth procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se Serbia duhet të marrë një qëndrim të ri politik sipas të cilit ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa e cilësoi tragjedi faktin se shteti serb refuzon t’i bashkohet pjesës tjetër të Evropës në sanksionimin e Rusisë.
“Kosova është shtet i pavarur. U bë pjesë e Serbisë në vitin 1912 pas luftës ballkanike… pastaj e humbi luftën në vitin 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës – kufijtë krijohen në luftëra ose përmes marrëveshjeve pas luftërave… nëse duam të ecim përpara, duhet të ndalojmë së mashtruari këtë popull”, theksoi Teodoroviç, duke bërë thirrje që Serbia ta njohë Kosovën.
“Një e vërtetë e padiskutueshme e politikës sonë të ardhshme duhet të jetë: Kosova është shtet i pavarur. Ne mund të insistojmë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – ata njerëz sigurisht duhet të kenë një lloj autonomie – por në të njëjtën kohë realiteti duhet njohur dhe kuptuar”, nënvizoi Teodoroviç, ashtu sikurse e cituan mediat serbe.