Kryetar i ri i delegacionit të Parlamentit Evropian për Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë eurodeputeti nga Kroacia, Davor Stier. Zëvendës të tij do të jenë Laurence Trochu dhe Tineke Strik.

Lajmin se është zgjedhur në krye të këtij delegacioni për raportet me të dyja vendet ai e bëri përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook..

“Delegacionet do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën dhe përmbushjes së agjendës së reformave. Perspektiva evropiane e Kosovës me mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe zbatimin e rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sfidat gjeopolitike me të cilat përballet BE-ja kërkojnë një angazhim më të fortë në Evropën Juglindore. Nga ky këndvështrim, stabiliteti dhe siguria në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë janë të një rëndësie vendimtare”.

Stier ka lindur më 6 janar 1972 në Buenos Aires. Ka përfunduar studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Katolik Papnor të Argjentinës.

Stier është ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë në periudhën 2016-2017. Ai u zgjodh në Parlamentin Evropian në vitin 2024 dhe ishte gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian midis 2013 dhe 2016.

Ai është pasardhës i emigracionit politik kroat që shkoi në Argjentinë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi i tij nga babai, Ivan Stier, ishte kolonel ustash dhe bashkëpunëtor i Maks Luburiqit, transmeton Klankosova.tv.