Duke u nisur nga interesi i qytetarëve dhe duke pasur parasysh parimin kushtetues, me të cilin shteti definohet si shtet social dhe për të mbrojtur kategoritë e ndjeshme Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE), ofron zgjidhje përmes të cilave mbron standardin e qytetarëve, tha në konferencën e sotme kryetari i KRRE-së Marko Bislimovski. Sipas tij me konceptin e ri për qasje deri te rrjeti, u bë ndarje e drejtë e shpenzimit për rrjetin mes përdoruesve të rregullt dhe atyre që i përdorin objektet përkohësisht. Duke e zbatuar këtë model, tatimi i rrjetit ulet përafërsisht 23%.
“Çmimi i rrymës nga data 1 janar ulet për bllokun e parë 5,16%, për bllokun e dytë dhe për tarifën e lirë mbetet i njëjtë, blloku i tretë rritet për 2,88% dhe blloku i katërt rritet për 1,86%. Nëse nuk vendosej kompensimi për qasje deri te rrjeti, çmimi i bllokut të parë do të rritej për 3,4 %, blloku i dytë do të rritej për 8,62%, blloku i tretë për 9,46%, blloku i katërt për 4,92% ndërsa tarifa e lirë për 15,42%. KRRE-ja vazhdon ta ndërtojë integritetin e institucionit përmes vendimeve të përgjegjshme dhe zgjidhjeve, të cilat në kohë të vështira siç ishte pandemia dhe kriza energjetike, i pati qytetarët si partnerë për mirëmbajtjen e sistemit stabil dhe funksional elektroenergjetik. Çmimet më të ulëta të energjisë elektrike vijnë si rezultat i politikës konsistente energjetike dhe qasjes reformuese të KRRE-së përmes vendosjes së bllok tarifave, si dhe Eldorados së investimeve në burimet e rinovueshme, me të cilat shteti mundësoi energji të re, me ç’rast vetëm për dy vite u rrit kapaciteti i instaluar për 25 %, ndërsa varësia importuese u ul për një të tretën, me ç’rast u krijua hapësirë për interval të ri të tarifës së lirë ditore për amvisëritë,” theksoi Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.