Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, duke theksuar se sa më shpejt duhet të sigurohet armëpushim të përhershëm në Gaza, tha se “Ne refuzojmë çdo plan që detyron palestinezët të braktisin atdheun e tyre”, raporton Anadolu.
Forumi ku Anadolu është “Partner Global i Komunikimit”, po mbahet në Qendrën e Kongresit NEST në zonën turistike Belek në Antalya.
Fidan mbajti fjalim në konferencën e përbashkët për media, pas takimit të titulluar “Zgjidhje me dy shtete dhe paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme” të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Komitetit të Ministrave të Ligës Arabe (Grupi i Kontaktit të Gazës) në margjinat e forumit.
Ai tha se në takimet e sotme diskutuan për situatën humanitare në Gaza, përpjekjet për rivendosjen e armëpushimit dhe zhvillimet në territoret e pushtuara, duke shtuar se diskutuan gjithashtu për pasojat rajonale të agresionit në rritje të Izraelit dhe hapat që mund të ndërmerren nga komuniteti ndërkombëtar për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të vendosur zgjidhje me dy shtete.
“Një armëpushim i përhershëm duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne mbështesim procesin e armëpushimit të udhëhequr nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja”, tha Fidan.
“Ne refuzojmë çdo plan që detyron palestinezët të braktisin atdheun e tyre. Ne mbështesim planin për rindërtimin e Gazës të miratuar nga Liga Arabe. Ne mbështesim krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez të bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për vendosjen e paqes”, shtoi ai.
Fidan tha se shtypja në Palestinë dëmton ligjin ndërkombëtar dhe vlerat universale. “Qëndrimi agresiv i Izraelit shkakton paqëndrueshmëri rajonale dhe paligjshmëri në nivel global. Megjithatë, dhuna 80-vjeçare e Izraelit kundër palestinezëve nuk ka dhënë asnjë rezultat. Palestinezët nuk e braktisën atdheun e tyre. Ata nuk hoqën dorë nga kauza e tyre”, theksoi kryediplomati turk.