8 C
Tetovo
E hënë, 12 Janar, 2026
BallinaLajmeKSHZ-ja i shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura në katër...

KSHZ-ja i shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura në katër komuna të RMV-së, rrjedh afati për ankesa

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancë shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura për kryetar komune në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, bazuar në procesverbalet origjinale nga qendrat e votimit. Sipas këtyre të dhënave, në Gostivar më shumë vota fitoi Valbon Limani nga AKI, në Mavrovë-Rostushë Oner Jakupovski nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në Komunën e Vrapçishtit Isen Shabani nga AKI, ndërsa në Qendër Zhupë kishte një kandidat të regjistruar – Arijan Ibraim nga Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i KSHZ-së Boris Kondarko theksoi se që nga momenti i shpalljes së rezultateve fillestare zyrtare, pra nga sot në orën 15:00, fillon afati prej 48 orësh për ankesa në lidhje me përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit. Ai kujtoi se që nga dje, që nga mbyllja e qendrave të votimit, është caktuar një afat prej 48 orësh për ankesa në lidhje me procedurën e votimit.

Nëse nuk ka ankesa brenda këtyre afateve të përcaktuara, tha kryetari i Komisionit, KSHZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura lokale në një seancë të mërkurën pasdite.

Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 28.72 përqind, pra 23.799 nga gjithsej 82.870 votues të regjistruar votuan. Gjithsej 7.510 vota ishin për kandidatin Nevzat Bejta nga Koalicioni VLEN, ndërsa 15.345 vota për kandidatin nga AKI, Valbon Limani.

Sipas të dhënave nga KSHZ-ja, në Mavrovë Rostushë, nga 10.575 votues të regjistruar, votuan gjithsej 3.021 votues, pra 28.57 përqind. Kandidati Oner Jakupovski nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mori 1.982 vota, dhe kandidati Anes Ahmeti nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM mori 961 vota.

Në komunën e Vrapçishtit, në Listën e Votuesve ishin të regjistruar 27.279 votues, dhe votuan 8.791 votues, ose 32.23 përqind. Gjithsej 5.414 vota mori kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Isen Shabani, dhe 3.135 vota për Zulhajrat Demirin, kandidat i pavarur i përkrahur nga VLEN.

Në Qendër Zhupë, në Listën e Votuesve ishin të regjistruar 7.562 votues, dhe votuan 1.003 votues, që përfaqëson pjesëmarrje prej 13.26 përqind. Kandidati nga Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, Arijan Ibraim, mori 973 vota.

Ndryshe, zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor 2025 nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.

Zgjedhjet e teta lokale në RMV u mbajtën në vjeshtën e vitit 2025, rrethi i parë u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë me 2 nëntor.

Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash, në raundin e parë VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN 5, AKI 3 dhe LSDM 3.

Në rrethin e dytë VMRO-DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, Vlen 4, LSDM 3, AKI 1, ZNAM 1, Unioni i Romëve 1 dhe Mendi Qyra i përkrahur nga VLEN.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments