Gjuha dhe alfabeti i vetëm janë themel i unitetit kombëtar, theksoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë shënimit të 117-vjetorit të Ditës së Alfabetit në Manastir, aty ku në vitin 1908 u mbajt Kongresi historik.
Me këtë rast, Kurti mbajti një fjalim ku tha se nga Kongresi i Manastirit më 1908 deri te Kongresi i Drejtshkrimit më 1972, përpjekjet kanë qenë të drejtuara drejt unifikimit të gjuhës së shkruar shqipe, jo vetëm për arsye praktike, por edhe për një arsye tjetër: që shqiptarët, pavarësisht ndarjeve politike, rajonale e ideologjike, të mund të bashkoheshin përmes gjuhës.
“Ky fjalim që po lexoj para jush është shkruar me njërën nga dy alfabetet që Kongresi i Manastirit i miratoi për përdorim nga të gjithë shqiptarët para 117 vjetësh. Alfabeti i shoqërisë ‘Agimi’ duket kaq i thjeshtë, funksional, por njëkohësisht aq i lartë. Ne e mësojmë që në fëmijëri, duke i shndërruar tingujt e gjuhës sonë amtare në shkronja dhe kurrë nuk ndahemi prej tij, pavarësisht se ku gjendemi, sepse gjuhët më të përhapura në botë, përgjatë historisë njerëzore, janë shkruar me të njëjtat shkronja – ashtu si gjuha jonë e bukur shqipe”, tha Kurti, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës.
Ai shtoi se kjo është edhe një nga arsyet pse 22 Nëntori shënohet çdo vit si Dita e Alfabetit Shqiptar.
“Prandaj, Manastiri i bashkohet Prizrenit dhe Vlorës si tre vende kyçe në historinë tonë. Shënimi i Kongresit të Manastirit dhe i Kuvendit të Vlorës në të njëjtën javë e lidh gjuhën dhe kulturën me idenë e lirisë dhe vetëvendosjes. Të dyja datat bartin kujtesën, trashëgiminë dhe vullnetin tonë për t’i bërë këto shekuj të pavdekshëm – për unitetin dhe zhvillimin e shqiptarëve”, theksoi Kurti, duke shtuar:
“Në trekëndëshin e madh të epokës moderne shqiptare – Prizren, Manastir, Vlorë – sot gjendemi në ‘këndin më të ndjeshëm’. Burrat e mëdhenj të historisë sonë, poetët dhe ideologët, e dinin se ne mund dhe duhet të bashkohemi fillimisht në mendim. E mendimi sqarohet përmes gjuhës. Faleminderit për mikpritjen dhe vëmendjen. Gëzuar 117-vjetorin e Kongresit të Alfabetit”, përfundoi Kurti.

