8 C
Tetovo
E hënë, 5 Janar, 2026
BallinaLajmeKurti: Nuk ka më pengesa për formimin e institucioneve të reja
- Advertisment -spot_img

Kurti: Nuk ka më pengesa për formimin e institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpjeguar faktorët që, sipas tij, ndikuan që LVV-ja të marrë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Kurti tha se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar qartë se kush mbante përgjegjësi për krizën politike të vitit të kaluar, duke përmendur si moment kyç refuzimin e partive të ish-opozitës për të marrë pjesë në seancën ku duhej të miratohej buxheti i vitit 2026 dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.24 për qind të votave.

Kurti theksoi se refuzimi për miratimin e buxhetit, tri marrëveshjeve me Bankën Botërore dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, në vlerë mbi një miliard euro, ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve.

Ai shtoi se përveç krizës politike, faktor i rëndësishëm për rezultatin zgjedhor kanë qenë edhe zotimet e LVV-së gjatë fushatës, përfshirë premtime të reja që, sipas tij, kanë rritur entuziazmin qytetar dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kurti vlerësoi se LVV-ja nuk ka marrë votues nga partitë e tjera, por ka arritur një mobilizim të gjerë popullor, duke e cilësuar fitoren e 28 dhjetorit si fitore të popullit dhe të Republikës së Kosovës.

Duke folur për formimin e institucioneve, Kurti shprehu bindjen se procesi do të ecë shpejt, duke theksuar se mandati i ri sjell jo vetëm më shumë besim, por edhe më shumë përgjegjësi.

Ai e quajti fitoren të një përmase historike, duke thënë se ajo e tejkalon edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, si në përqindje ashtu edhe në numër absolut votash.

Në lidhje me votën e diasporës, nga e cila LVV-ja ka marrë mbi 80 për qind të mbështetjes, Kurti tha se mërgata gjen te Vetëvendosja një lloj plotësimi për mallin për atdhe, përmes qëndrimeve politike që theksojnë sigurinë shtetërore dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët.

Ai vlerësoi se diaspora dhe qytetarët brenda Kosovës nuk janë të ndarë shpirtërisht, por lidhen përmes përvojave të përbashkëta historike dhe familjare, përfshirë migrimin e detyruar për arsye ekonomike, politike apo si pasojë e luftës.

Kurti komentoi edhe rënien e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare ka marrë 13.40 për qind të votave, rreth 50 mijë më pak se në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.

Sipas tij, kjo rënie lidhet me perceptimin e qytetarëve se udhëheqja e LDK-së ka qenë bllokuese në procesin e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të kaluara.

Kurti përfundoi duke thënë se me rezultatin e 28 dhjetorit dhe zhvillimet e vitit 2025, nuk ekzistojnë më pengesa për ecjen përpara dhe formimin e institucioneve të reja.

Artikuj të ngjashëm
spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments