Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë ka dalë me akuzë të re për BDI-në dhe për fushën e lotarisë, transmeton TV21.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se pronar i kompanisë HEJ SHPKNJ është një deputet i BDI-së, por nuk zbulon emrin e tij.
Ai paralajmëron se perandoria e bixhozit po shkatërrohet.
Shkrimi i plotë i Izet Mexhitit pa ndërhyrje:
“Perandoria e bixhozit po shkatërrohet
Në seancën e djeshme të Qeverisë morëm vendim për prishjen e kontratës së qirasë mes kompanisë HEJ SHPKNJ (pronë e deputetit të BDI-së) dhe Shoqatës Aksionare Lotaria Shtetërore. Përmes kësaj kontrate ishte projektuar vjedhje masive dhe pastrim i miliona eurove nga ana e funksionarëve të lartë të BDI-së.
Kthim mbrapa nuk ka. Epideminë e bixhozit do ta luftojmë deri në fund, ndërsa skemat korruptive të kazinomanëve të politikës do t’i shkatërrojmë pa kompromis.
Ky është vetëm fillimi. Kulla e ndërtuar me letra bixhozi do të shembet shpejtë, ndërsa projektuesit e saj do të japin llogari përpara ligjit dhe përpara popullit”.