Përgjigjja është e thjeshtë: BDI.
Prej ditësh po qarkullon në portale të afërta me BDI një tekst i nënshkruar nga “analistë të pavarur”, në fakt shkrues me pagesë të fushatave të Ali Ahmetit të cilët, në prag të zgjedhjeve, mundohet të shesin frikën e “botës serbe” te shqiptarët, me qëllimin e qartë për të njollosur koalicionin qeveritar VLEN.
Ky është një skenar i vjetër, por i ricikluar tani në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, për të zhvendosur vëmendjen nga e vërteta e hidhur. BDI është partia që e ka futur dhe forcuar ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut.
Fakte që nuk i thonë analistët e BDI-së:
Bujar Osmani dhe Fatmir Besimi kanë zhvilluar takime të shpeshta e të ngrohta me zyrtarët më të lartë të Beogradit, duke e hapur rrugën e bashkëpunimit strategjik me Serbinë.
Ali Ahmeti duhet t’u shpjegojë shqiptarëve në cilësinë e kujt priti Aleksandar Vuçiqin në Ohër, ku bashkë me të hodhi para në peshqirin e kryepriftit ortodoks.
Marrëveshja për Kishën Ortodokse Maqedonase dhe “Dioqezën e Ohrit” u mbyll nën sytë e BDI-së, me përfitime të mëdha politike dhe simbolike për Beogradin.
Ballkani i Hapur,projekti që u paraqit si bashkëpunim rajonal, ishte në fakt platforma ku BDI, Vuçiqi dhe Edi Rama e koordinuan agjendën e tyre të përbashkët politike dhe ekonomike, duke i dhënë Serbisë hapësirë të lirë ndikimi në rajon.
Një narrativë e porositur, me shënjestër të qartë
Këto shkrime nuk janë as analiza, as alarmim për sovranitetin e vendit. Janë thjesht një pjesë e fushatës zgjedhore të BDI-së, e sinkronizuar me agjendën e Vuçiqit, për të goditur koalicionin qeveritar VLEN dhe për të krijuar konfuzion te votuesit shqiptarë.
Dhe loja është më e madhe, përmes kësaj narrative të koordinuar, Vuçiq dhe Edi Rama synojnë të dëmtojnë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke ushtruar presion dhe bllokada, siç po ndodh me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një agjendë e sponsorizuar hapur nga Ali Ahmeti, Vuçiqi dhe Edi Rama.
Kujtesë për shqiptarët:
Kur BDI përpiqet t’ju shesë frikën e “ndikimit serb”, mos harroni:
Mediat serbe që sot formësojnë opinionin publik në Maqedoni kanë hyrë në treg në kohën kur BDI ishte në pushtet.
Kontratat strategjike me kompani serbe u nënshkruan nën qeveritë ku BDI ishte partner kyç.
Ballkani i Hapur u përdor si trampolinë për agjendat politike të Beogradit dhe Tiranës në dëm të Kosovës dhe interesit kombëtar shqiptar.
Konkluzioni:
Në vend që të pranojë përgjegjësinë për dyert që ia hapi Serbisë, BDI sot përpiqet të shpikë armiq e kërcënime, vetëm për të shpëtuar nga humbja elektorale që e pret në tetor.
Ky është një mashtrim i hapur politik dhe shqiptarët nuk duhet të bien pre e një narrative të porositur në zyrat e Beogradit, e të shpërndarë nga shërbëtorët mediatikë të Ali Ahmetit./ L. A