Propozimi i partisë “E Majta” për ndjekjen penale të gjykatësve që punojnë kundër ligjit, nuk kaloi në Kuvend. Kanë votuar vetëm pesë deputetë, katër prej të cilëve “për” dhe një “kundër”. Megjithatë, majtistët thonë se nuk do të dorëzohen dhe se do të iniciojnë takim me presidenten Siljanovska.
“Do të bëjmë kërkesë për takim me presidenten e Republikës së Maqedonisë, si grup parlamentar, që ajo të iniciojë ndryshime në Amendamentin 27 të vitit 2005, i cili në fakt i përjashton gjykatësit nga përgjegjësia penale, kështu që, si profesor i së drejtës kushtetuese, besojmë se mund të bëjmë takim, që ajo të iniciojë amendamentet kushtetuese për përgjegjësi penale”, tha Amar Mecinoviq, deputet i partisë “E Majta”.
Për shumicën ky propozim është antikushtetues.
“Një ligj i tillë është antikushtetues dhe ata e dinë mirë, por duan të shpërndajnë floskula. Nëse duan të ndihmojnë në drejtim të rindërtimit të gjyqësorit, duhet të shprehin qëndrimin e tyre për ndryshimet në Këshillin gjyqësor, si dhe për ndërrimin e prokurorit publik”, u shpreh Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Propozimi nuk mori mbështetje as nga opozita sepse nuk ofron zgjidhje sistematike për problemet në drejtësi.
“Duhet t’i qasemi sistematikisht gjithçkaje që ndodh në drejtësi dhe të bëjmë reforma sistematike. Çdo ndryshim i pjesshëm i dispozitave është shkelje edhe më e madhe e besimit tashmë të rrënuar në sistemin gjyqësor”, theksoi Fatmir Bytyqi, zëvendës koordinator i Grupit parlamentar të LSDM-së.
Në propozimin e saj e Majta kërkonte që çdo gjykatës që merr vendim të kundërligjshëm të dënohet me burg nga gjashtë muaj deri pesë vjet, ndërsa nëse pala përfiton dobi pronësore nga ai vendim i kundërligjshëm, gjykatësi të dënohej me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. /Alsat.mk