Është ndarë nga jeta mësuesi i nderuar Mefail Dervishi (1946–2025), një prej mësuesve të parë të fshatit Çellopek, figurë e urtësisë dhe e përkushtimit, i cili la pas një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit dhe në kujtesën e Çellopekasve.
Mefail Dervishi ishte shumë më tepër sesa një mësues. Ai ishte udhërrëfyes i heshtur, njeri i thjeshtë por me ndikim të madh, që i përkushtoi jetën dijes dhe formimit të brezave të rinj. Në një kohë kur mësimi ishte sfidë dhe mision, ai zgjodhi të jetë pranë fëmijëve, të mbjellë dije, edukatë dhe vlera që mbeten të gjalla edhe sot.
Figura e tij ruhet me nderim në kujtimet e nxënësve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër. Fjalët e tij të urta, qetësia e tij e natyrshme dhe përkushtimi i pandalshëm janë dëshmi e një jete të ndërtuar me mund, me dashuri për shkollën dhe me respekt për njeriun.
Mësuesit janë dritë dhe themele të shoqërisë dhe Mefail Dervishi ishte një ndër ata që këtë dritë nuk e kurseu për askënd. Ai e bëri profesionin e mësuesit një thirrje të brendshme, duke u bërë shembull për shumë të tjerë që ndoqën rrugën e dijes.
Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë banorëve të Çellopekut për këtë humbje të madhe. Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhenet, ashtu siç shpërblen ata që jetën e tyre ia kushtuan dijes dhe përparimit të shoqërisë.