Shkruan: Hasan Jashari
E nderuar familje, miq e shokë!
Këto ditë, si që e dini ,ndërroi jetë dhe u varos Zulqufli E. Ismaili, atdhetar nga Dobroshti , me punë në Danimark. Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve; fëmijët e tij, bashkëshorten, vëllezërit, motrën, familjen, miq e shokë. Filozofi dhe shkrimtari madh Paulo Koeljo për vdekjen thotë “ se ne duhet ta jetojmë jetën tonë, secili, por vdekja mëshihet kudo rreth nesh” . Zuli, si që e kemi quajtur ne të gjithë me emër përkdhelës, i takon brezit tim të shokëve të shkollës i cili shkoi në mërgim si 16 vjeçarë, bashkë me shokët e tjerë të klasës që i mësynë Evropës; Afetin, Jonuzin, Sheipin, Munafin, Idrizin, Afitin, Bakiun, Shabanin, Milaimin, Qashifin etj. Ishte koha e vështirësive e punës së mundimshme në fushë e mal dhe koha e kërkimit të kushteve më të mira për jetë për vehte dhe familjen.
Thuhet se jeta shkruan romane. Se jeta dhe koha i ndryshon njerëzit. Zuli nuk kishte shumë për të ndryshuar pasi shkoi në Danimark, sepse ai i kishte të gjitha ata përparësi që e bëjnë njeriun të jetë i dallueshëm; me qeshje përherë, me kontroll mbi ndjenjat, me pamje të bukur, me shtat, me mirësjellje por edhe me punë të mirë dhe gjendje ekonomike të mirëfillt. Duqani i tij ku përgadiste , peshkun për shitje, kishte blerës të njohur duke filluar nga ish kryeministri danez Paul Rasmussen, ministra e deputetë dhe njerëz të tjerë të shtresave të larta shoqërore .
Mua më kujtohet fëmijëria kur luanim top te Bahjçja e Tahirit tërë ditën. Në ndihmë na vinin edhe shokë të tjerë të klasës. Pastaj në mbrëmje e vazhdonim te fushloja e Maqedonasve duke luajtur me ata ‘Shqiptarë me Maqedonas’, pastaj ditëve të tjera ‘ Mëhalla e Epër vs. Mëhallën e Poshtme’. Loja përfundonte me qeshje, hidhërime dhe zënka të vogla. I vetmi që nuk hidhërohej dhe nuk grindej ishte Zuli i cili na thoshte, ‘ lojë është, sot kanë fituar ata nesër ne’. Dhe vërtet nesër mbrëma luanim, përsëri, sikur nuk kishim pasur zënka asnjëherë.
Zulqufli Ismaili, Atdhetar që shpërndante dashamirësi.
Kur dilnim nga shkolla, luanim atje te një fushë e vogël, te Blini i Madh, ku sot është fusha e basketit. Zhurma ishte e madhe, inati i madh, gëzimi poashtu…
Zuli edhe në Danimark krijoj një rreth të gjërë shokësh e miqsh. Ai u angazhua në të gjitha aspektet e aktiviteteve humanitare duke u nisur nga ndihmat që dërgonte Shoqata Dobrosht 97 nga Copenhageni për familjet në nevojë, për jetimët, për student e nxënës, për raste të fatkeqësive, sëmundjeve etj. Ai ishte i pari kur duhej të paguhet. Pastaj , ai ishte aktiv në të gjitha proceset e ndihmës për vendëlindjem për Kosovën dhe ndihmat e Luftërave të viteve, 1999,2001 etj.
Nuk ka njeri më të të shkathët se Zuli kur kishte nevojë që të mblidhen shokët; Gajur Iseni, Afet Nuredini Kadri Abduli, Sulejman Iseni, Harun Sahiti, Ahmet Baki, Idriz Dauti, Faredin Iseni, Shaban Nuredini, Shemsedin Nuredini e shumë të tjerë. Mund të ishin 3 vetë, 10 vetë, 15 persona… dihej se kush shtyhej që të paguan. Prandaj edhe përherë kishte të holla, sepse zemrën e kishte të madhe.
Shoqata Dobrosht 97 do ta ketë në kujtime përherë. Zuli ia ka zbardhë fytyrën përherë kur është dasht të mirëpriten, udhëheqësit politik, kulturorë të Shqiptarëve, ambasadori i Shqipërisë, ministra e deputetë shqiptarë, këngëtarë e artistë nga të gjitha trojet shqiptare. Zuli ishte aty që të gjindej, të organizonte pritje, të iu bënte shoqëri, t’i përcjellë… Me Ambasadorin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e tij, Skender Minxhozi, ka pasur miqësi të përhershme.
Sot, familja e tij, ne të gjithë, mund të themi lirshëm Lamtumirë Zuli . Krenarë që të kishim, krenarë që kaluam një pjesë të jetës së bashku, krenarë me sjelljen tënde, si një zotëri me plot kuptimin e fjalës. Krenarë me humanzmin tënd.
Familja dhe të gjithë ne, Diaspora shqiptare në Danimark do të ketë në kujtim përjetë dhe të falenderon pa fund . Kujtimi për ty mbetet përjetë.
Pusho në paqë Zuli, qoftë i lehtë dheu e vendëlindjes!
Zoti i falt Xhehnetin.