Lëvizja Europiane për Ndryshim (LEN) theksoi sot se BE-ja përmes ambasadorit holandez ka bërë të ditur se BDI-ja është frenuesi më i madh i vendit në rrugën drejtë Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian përmes Ambasadorit holandez bëri të ditur që BDI është bërë frenuesja kryesore e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Vërejtjet nga partnerët ndërkombëtarë po vijnë një pas një. Reagoi ambasadori i BE-së, që po keqpërdoret flamuri Europian për të ngulfatur debatin. Reagoi fuqishëm Ambasadorja e SHBA-ve zonja e nderuar Angela Ageler, duke konstatuar që në RMV ekziston epidemi e korrupsionit e askujt nga pushteti nuk i bëri përshtypje që një partner aq i rëndësishëm si SHBA-ja po e thotë këtë gjë. Më tutje, me të dhëna empirike e grafike, doli raporti i Komisionit Europian, që aspak nuk do të druajmë ta quajmë skandaloz e më i keqi deri tani, ku në çdo faqe të këtij raporti shihni konstatimin ‘no porgress was made’ dhe përsëri askush nuk e mori këtë seriozisht. Përkundrazi paaftësinë e tyre tentuan t’ia mveshin opozitës”, deklaroi Izet Mexhiti, LEN, sipas të cilit takimi i djeshëm i ambasadorit të Holandës, Dirk Jan Kop dhe Ali Ahmetit, si dhe porosia e përçuar në këtë takim nga ambasadori, edhe njëherë e bëri me dije para opinionit të gjerë se BDI është pengesa e vërtetë për integrimin e vendit në BE, me gjitha veprimet e tyre anti-europiane, anti-demokratike e me skandalet e tyre të njëpasnjëshme korruptive.
“Ky takim ishte goditja më e rëndë për gënjeshtrën e radhës të BDI-së, për të ashtuquajturin Front Evropian. Shihet qartë se edhe partnerët ndërkombëtarë tashmë e kanë kuptuar mirëfilli se fjalët e BDI nuk përputhen me veprimet e tyre dhe manipulimi i tyre është ajo që i mban peng qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të qenë pjesë e familjes Europiane. E mira e kësaj pune është se ditët i kanë të numëruara dhe qytetarët e kanë të qartë se në zgjedhjet e ardhshme do të vendoset mes Lidhjes Europiane për Ndryshim nga njëra anë, që përpiqen për luftë të vërtetë kundër krimit e korrupsionit, të rikthejnë demokracinë dhe ta kthejnë shtetin e së drejtës, dhe nga ana tjetër këtyre tjerëve që shpëtimin e vetëm e shohin te kthimi i Nikolla Gruevskit, prandaj edhe tërë ky presion për shkarkim e për linçim u koncentrua pikërisht te kryetarja e Gjykatës Supreme, zonja Besa Ademi, sepse i rezistoi këtij presioni”, tha Mexhiti, duke shtuar se Lidhja Europiane për Ndryshim zotohet se do të sjellë ndryshimin që qytetarët e meritojnë, njëherë e përherë.
“Pas 8 majit do të vijë një Qeveri që do zbatojë drejtësi të paanshme dhe shtet të së drejtës ku krimi dhe korrupsioni nuk do të kenë vend”, u shpreh Mexhiti.