LSDM nuk do t’i mbështesë interpelancat e BDI-së, sepse ato nuk përfaqësojnë zgjidhje të krizës në këtë moment, ishte konstatuar në mbledhjen e parë të përbërjes së re të Këshillit Ekzekutiv e cila u mbajt sonte.
Në mbledhje ishte theksuar edhe se LSDM është në mënyrë kategorike kundër rritjes së moshës për pensionim.
Këshilli Ekzekutiv, siç qëndron në kumtesën e partisë, ka vlerësuar se “mospranimi i takimit të liderëve nga ana e pushtetit dërgon sinjal të keq dhe e vërteton tezën se dukshëm partitë në pushtet dhe BDI-ja nuk kanë interes për stabilizim, që është shumë e rrezikshme për shtetin”.
Prej aty bëjnë të ditur se për LSDM-në shqetësuese janë tendencat për përkeqësim të sigurisë së qytetarëve dhe tensionet e rritura në shoqëri me përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
LSDM tashmë ka bërë plan operativ dhe udhëheqësia e re e LSDM-së prej nesër fillon me aktivitete më të intensifikuara në teren, në të gjitha organizatat komunale.
“LSDM do ta ndryshojë qasjen dhe do ta kthejë zërin e anëtarësisë në krijimin e politikave. Deri në fund të vitit do të finalizojmë zgjedhjen e kryetarëve të organizatave komunale, me çka do të përfundojë plotësisht procesi i bashkimit”, shtohet në kumtesën nga mbledhja e KE.
Grupi parlamentar i Frontit Evropian dje parashtroi interpelanca për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq dhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni.