Lehtësimi masave të kujdesit ndaj të dyshuarve për sulmin e 4 janarit në afërsi të Qendrës për kontrollin e fluturimeve në M-NAV sipas ekspertëve është veprim i koordinuar mes Prokurorisë Publike dhe të dyshuarve për të vendosur gjykatës para aktit të kryer dhe të konstaton mungesë të veprës penale. Avokati Ardian Demiri, thotë se të gjitha rrethanat që nga 4 janari e deri më sot çojnë në drejtim të asaj që të dyshuarit të mos përgjigjen për veprën për të cilën dyshohen.
“Për mendimin tim, tendenca e kësaj që po e thotë prokuroria nuk është asgjë tjetër përveç se një parapërgatitje që në fund Gjykatës Penale t’i servojnë një lëndë e cila do të jetë e mangët nga pikëpamja e dëshmive dhe e gjithë kjo situatë të përfundon me llojin u dridh mali, polli një mi. Gjithë ajo situatë, për mendimin tim nëse ishte punuar si duhet do të kishte më shumë elemente të veprave penale sepse realisht aty ka më shumë vepra”, tha Ardian Demiri, Avokat.
Prokuroria Publike ka njoftuar se veprimet për lehtësimin e masave ndaj të dyshuarve janë marrë në momentin kur është konstatuar se tani e tutje nuk mund të cenohet integriteti i procedurës penale.
“Prokurori përkatës ka dëgjuar të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët, ndërsa integriteti i procedurës është ruajtur, nuk cenohet dhe nuk ka rrezik të komprometohet. Të dyshuarit nuk kanë më mundësi të ndikojnë ndaj dëshmive apo veprimeve ligjore që do të ndërmerren tani e tutje. Referuar gjendjes faktike dhe praktikës së Gjykatës në Strasburg, prokurori propozoi lehtësimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarve”, thonë nga Prokuroria Publike.
Më 4 janar, një grup i personave të cilët sipas policisë udhëhiqeshin nga kreu i BDI-së në Çair, Bekim Neziri u futën me dhunë në afërsi të qendrës së kontrollit të fluturimeve. Shkak për këtë ishte konkursi për punësimin e kontrollorëve i cili kundërshtohej nga sindikatat me akuzat se pushteti po punëson militant partiak. Një raport nga kontrolli i jashtëzakonshëm i Agjencisë së Fluturimeve Civile ka konstatuar se sulmi nuk ka cenuar kontrollin e fluturimeve dhe nuk ka rrezikuar hapësirën ajrore. Veprimet çuan në vendimin e Qeverisë për të shkarkuar dy drejtor nga bordi drejtues./Alsat.mk