Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni reagon ndaj deklaratave të fundit të akademikes së MANU-së, Katica Qulavkova, e cila ishte e ftuar drejtpërdrejt në TV 24, ku gazetares Trpçevska iu përgjigj në shumë pyetje. Ajo është e njohur si një person që shkruan poezi, merret me mite nacionale dhe në qarqe të ndryshme maqedonase njihet si një person me qëndrime antishqiptare. Intervista e saj ishte e mbushur me vetë-reklamim dhe fjalor të mbështetur në nacionalizmin e saj, që i përkiste periudhës së para 40 viteve, kur shqiptarët akuzoheshin se nuk mësojnë maqedonishten, nuk janë lojalë ndaj himnit dhe simboleve të shtetit, duke kërkuar përshtatshmëri politike për ata që duhet të jenë pjesë e MANU-së.
Ajo thekson se para së gjithash, një anëtar shqiptar duhet ta ndjejë veten maqedonas. Qulavkova aludon se shqiptarët nuk paraqiten në konkurse, duke ia atribuar aftësitë shkencore vetëm maqedonasve. Ajo është kundër Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, kundër Inspektoratit dhe dënimeve për moszbatimin e gjuhës shqipe. Sipas saj, gjuha standarde shqipe që përdoret në Shqipëri dhe Abetarja nuk duhet të përdoren në Maqedoni. Madje, ajo mburret se MANU, më saktësisht ajo vetë, ka nxitur heqjen e Balancuesit, duke shtuar se Ligji për Gjuhët destabilizon shtetin dhe pengon krijimin e kombit Maqedonas si një projekt i MANU-së.
Sa i përket Akademisë Shqiptare, ajo ironikisht thotë se MANU është e hapur për të gjithë dhe se janë ulur kriteret për të pranuar ndonjë shqiptar ( duke u qeshur me përbuzje dhe me zë të lartë). Megjithatë, ajo nuk përmend që ata që ne dhe Akademia Maqedonasei numërojmë si shqiptarë, për të marrë vota dhe për t’u pranuar, iu është sugjeruar që të deklarohen njëri si turk dhe tjetri si maqedonas.
Përndryshe, Qulavkova është e njohur për deklaratën e saj gjatë pandemisë, në muajin qershor 2020, kur tha se “Çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me jetë” (Цената на соживотот го плаќаме со живот), duke aluduar se shqiptarët nuk mbajnë maska, bëjnë tollovi në spitale, etj. Më tej, në korrik 2022, në TV Kanal 5, deklaroi se MANU është e maqedonasve dhe shqiptarët le të krijojnë një akademi të tretë. Këtu, si duket, e ka qëlluar!
Akademia jonë e ka njohur prej kohësh këtë filiale të SANU-së dhe produktet e fjalorit të Lidhjes së Komunistëve të dikurshëm, të cilët me glorifikimin e vetvetes dhe nënçmimin e të tjerëve harrojnë se flasin për dobësitë dhe krijimtarinë vetjake që pengon shkencën dhe progresin, duke penguar funksionimin e shoqërisë dhe multikulturës në vend.
Andaj, ne po vazhdojmë rrugën tonë, duke krijuar perspektiva të reja të bashkëpunimit dhe respektit për bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë. Figurat e tilla të akademikëve, të dashuruar në veten dhe kombin e tyre, i bëjnë dëm më së shumti kombit të tyre, duke dëmtuar marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkësitë etnike si që po ndodh me decenje në Maqedoni.
Këshilli për informim
08.11.2024