Një takim i thirrur për sonte nga zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i prezantuar si mbledhje e Këshillit Koordinues, koordinatorëve të degëve dhe një grupi prej gjashtë funksionarësh, po zhvillohet në një atmosferë të zymtë dhe me pjesëmarrje simbolike.
Sipas burimeve nga brenda strukturave partiake, në sallë nuk ndodhen më shumë se 50 persona, ndërsa nga ky takim pritet të tentohet marrja e një vendimi për shkarkimin e kryesisë aktuale. Një nismë e tillë, në rrethanat aktuale dhe me këtë përbërje pjesëmarrësish, po cilësohet nga shumëkush si jo vetëm qesharake, por edhe politikisht e peshë-lehtë.
Ajo që bie në sy është mungesa e figurave kryesore të partisë. Në takim nuk janë të pranishëm dy deputetët, Mimoza Musa dhe Ilir Demiri, Ministri i shëndetësisë Azir Aliu, si dhe kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi. Po ashtu mungon koordinatori nacional për media, Latif Arifi, shumica e anëtarëve të Këshillit Koordinues, një pjesë e madhe e funksionarëve partiakë, drejtorë klinikash dhe koordinatorë degësh.
Ironia më e madhe, sipas burimeve, është mungesa edhe e koordinatorit të degës së Likovës, dega nga e cila vjen vetë Fetai , çka e bën edhe më të dukshme përçarjen e thellë brenda strukturës.
Atmosfera në sallë përshkruhet si morbidisht e rëndë, me fytyra të zymta dhe me një ndjesi të qartë izolimi politik. Braktisja e figurave kyçe duket se ka lënë takimin pa peshën dhe legjitimitetin e pretenduar.
Ndërkohë, sipas informatave të sigurta, grupi i deputetëve dhe funksionarët kryesorë të ASH-së tashmë kanë mbështetur nismën për shndërrimin e VLEN-it në një parti politike, duke sinjalizuar një rreshtim të ri politik dhe një kapitull të ri në skenën shqiptare në vend.
Zhvillimet e mbrëmjes pritet të thellojnë edhe më tej ndarjen brenda partisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse vendimet e marra në një takim me përfaqësim kaq të kufizuar do të kenë ndonjë peshë reale politike.


