Deri të enjten, qytetarët e Shkupit do të duhet të presin përgjigje se a do të ofrohet një zgjidhje konkrete për zgjidhen e krizës me ndërmarrjen e Qarkullimit Publik dhe Ndërmarrjes së Higjienës Komunale në Shkup apo edhe më tej do të duhet të zhyten në mbeturina dhe të presin me orë të tëra për autobusët e NQP-së.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, e cila prej muajsh i shmanget opinionit publik për llogaridhënie, sot doli para medias për të konfirmuar vetëm faktin që patatja e nxehtë i ka mbetur sërish në duar.

Pas takimit të djeshëm me kryeministrin Mickoski dhe ministrin e vetëqeverisjes lokale Perinski, Arsovska sot pranoi se zgjidhjet e saj nuk ishin pranuar, por autoritetet qendrore i kishin sugjeruar që të ndryshojë planin për tejkalimin e krizës si dhe ta prezantojë atë para Këshillit të Qytetit të Shkupit të enjten, për të marrë miratimin e këtij organi.

“Dje, megjithëse paraqitëm plan që ishte konkret dhe me masa konkrete për situatën, ata nuk e pranuan, na kanë kërkuar një plan të ri dhe janë habitur që e kemi pranuar edhe ne atë, sepse donin të krijonin probleme dhe nuk duan zgjidhje. 10:30-10:58 Plani që propozuam ne, kishte shtjellim të detajuar të të gjitha çështjeve, të gjithë atyre që janë të bllokuara dhe pyetjeve që do të duhet të zgjidhen që të kemi ndërmarrje funksionale. Një nga një u refuzuan dhe në fund na u propozua të vijmë me plan të ri duke menduar se do ta refuzonim, por ne e pranuam dhe filluam të bëjmë plan të ri pasi nuk u pëlqeu dhe do të shohim si do iu duket tani”, tha Danela Arsovska – Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Arsovska shtoi se Qyteti i Shkupit nuk mund të bëjë asgjë, për aq kohë sa 45 këshilltarët e Këshi9llit të Qytetit do të bllokojnë planet e saj. Arsovska tha se edhe Qeveria e kaluar nuk është sjellë si duhet, pasi edhe ajo nuk i ka paguar pjesën e saj prej 8 milionë eurosh të destinuara për ndërmarrjet publike të qarkullimit apo atë të higjienës.

Të enjten është parashikuar prezantimi i këtij plani dhe nëse ai miratohet, atëherë ndërmarrjet do të mund t’i kthehen normalizimit. Nëse nuk do të ketë zgjidhje, atëherë fillimi i vitit të ri shkollor do të thellojë më keq këtë krizë./ Alsat.mk