Gjatë vitit 2026, pushteti vendor i Dibrës do të realizojë projekte kapitale në sferën e infrastrukturës dhe do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet, në bashkëpunim me pushtetin qendror, që në vendkalimin kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në afërsi të Dibrës, të realizohet sistemi kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”.
Këtë, mes të tjerash, e deklaroi kryetari i ri i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, në takimin me gazetarët. Sipas tij, viti që sapo ka filluar do të jetë vit i shumë projekteve kapitale në sferën e infrastrukturës rrugore, por edhe i projekteve që lidhen me turizmin, kulturën dhe sportin, ndërtimin e Qendrës për persona me aftësi të kufizuara, institucionalizimin e muzeut, blerjen e makinerisë për nevojat e ndërmarrjes komunale publike “Standardi”, si dhe zgjidhjen e problemit të vendparkimeve.
Këtë e theksoi kryetari i komunës, Fisnik Mela, i cili shtoi se me mjetet nga kredia e Hungarisë, të ndara nga qeveria aktuale për komunat, do të realizohen pa probleme projektet që kanë filluar dhe do të vazhdohet edhe me projekte të reja. “Atje ku kanë filluar sanimet dhe asfaltimet e disa rrugëve, punimet do të përfundojnë dhe më pas do të vazhdohet me projekte të tjera, në mënyrë që Dibra të tejkalojë problemet me rrugët e qytetit. Po ashtu do të realizohen projekte infrastrukturore edhe në fshatra”, tha Mela.
Ai potencoi se ndërtimi i vendparkimeve të reja është një nga prioritetet, duke informuar se do të hapen disa hapësira të reja për parkim, në afërsi të Çerdhes “Breshia” dhe Sallës së sporteve “Dibra” në qytet. Një theks të veçantë Mela i kushtoi edhe aktiviteteve që lidhen me funksionimin e vendkalimit kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. “Ndërtimi dhe funksionimi i Rrugës së Arbërit ka rritur disa herë frekuencën e automjeteve dhe udhëtarëve në këtë vendkalim. Gjatë ditës hyjnë dhe dalin nga të dy anët e kufirit disa mijëra automjete dhe udhëtarë, prandaj do të ndërmarrim të gjitha aktivitetet, së bashku me pushtetin qendror, që vendkalimi të funksionojë me sistemin ‘Një ndalesë – Një kontroll’. Kjo do të thotë që qarkullimi në vendkalimin kufitar në afërsi të Dibrës të ketë një dinamikë më të shpejtë. Vendkalimi sjell sinjale shumë pozitive edhe për zhvillimin ekonomik të Dibrës”, tha Mela.
Ai shtoi se do të realizohen projekte për një strategji të zhvillimit të turizmit, me qëllim që Dibra të zhvillohet sa më shpejt. Sipas tij, qëllimi kryesor i aktiviteteve do të jetë që Dibra të rikthejë imazhin që ka pasur gjatë historisë. “Dibra e meriton këtë dhe komuna do t’i ndërmarrë të gjitha aktivitetet që qyteti të ketë pozicionin që ka pasur në të kaluarën, në të gjitha sferat e jetës”, përfundoi Mela. (koha.mk)




