Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, është nderuar me dy çmime të rëndësishme në kuadër të një Konference Mbarëkombëtare të organizuar nga Federata e Paqes Universale – Shqipëri, me moton “Duaj Zotin, duaj njerëzit, duaj kombin”.
Gjatë kësaj ngjarjeje, Qyra u vlerësua me titullin “Ambasador për Paqen”, një mirënjohje që i është dhënë për angazhimin e tij në promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave humane në shoqëri. Ky çmim u nda nga Presidenti i UPF për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Jacques Marion.
Po ashtu, në të njëjtën mbrëmje, Mendi Qyra u shpall “Njeriu i Vitit në Trojet Shqiptare”, çmim i akorduar nga Unioni i Gazetarëve Sportivë të Shqipërisë, për kontributin e tij në zhvillimin e sportit dhe për sukseset e klubit Struga Trim Lum në garat ndërkombëtare.
Me këtë rast, Qyra u shpreh se këto vlerësime nuk i konsideron si arritje personale, por si një mirënjohje për punën e përbashkët me bashkëpunëtorët, sportistët dhe qytetarët e Strugës, duke theksuar se ato janë një motiv dhe përgjegjësi shtesë për të vazhduar angazhimin në shërbim të qytetit dhe komunitetit.

