Mensur Aliti, anëtar i Bordit Drejtues të Agjencisë së Filmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së, duke i cilësuar ato si të pavërteta, hipokrite dhe të motivuara politikisht. Ai thekson se për herë të parë proceset në këtë institucion janë zhvilluar në mënyrë transparente dhe se fondet për film-bërësit shqiptarë po u shpërndahen autorëve pa reket, ndryshe nga praktikat e mëparshme të BDI-së.
BDI sot tentoi të mashtrojë opinionin me fjalime patetike dhe viktimizim të rremë, duke harruar se pikërisht ata e shndërruan kulturën dhe filmin shqiptar në monopol të reketeve, nepotizmit dhe kapjes partiake për më shumë se 20 vite.
Ata që sot flasin për “skandale” janë të njëjtët që e lanë Agjencinë e Filmit me 12 milionë euro borxhe, që i kushtëzonin regjisorët shqiptarë me përqindje 30–50% për të marrë ndonjë mbështetje minimale. Dhe të njëjtët që kurrë nuk patën guximin e as dëshirën të mbrojnë artistët shqiptarë.
Është absurde që BDI flet për transparencë, kur proceset e tyre gjithmonë zhvilloheshin në errësirë, me lista të parapërgatitura dhe me njerëz të “bekuar” nga selia e partisë. Për herë të parë, konkursi i Agjencisë së Filmit ka kaluar të gjitha fazat ligjore, nga kontrolli administrativ deri te vendimi i Bordit drejtues – dhe rezultatet janë të hapura, të qarta dhe pa asnjë kushtëzim.
Sa për akuzën ndaj regjisores së re Jehona Ajdini, është e turpshme të fyesh një të re shqiptare vetëm pse nuk është pjesë e zinxhirit të interesit të BDI-së. Ky mentalitet shantazhi dhe përçmimi është arsyeja pse sot qytetarët ua kanë kthyer shpinën. Të rinjtë shqiptarë nuk kanë nevojë për leje nga BDI për të krijuar, për të studiuar dhe për të ndërtuar karrierë të ndershme.
BDI flet për nepotizëm, ndërkohë që secili institucion kulturor e publik është i mbushur me familjarë, dhëndurë, nipa e kunata të funksionarëve të tyre. Sot nuk kanë kredibilitet të flasin për moral.
E vërteta është e thjeshtë, kjo është hera e parë që fondet për film-bërësit shqiptarë nuk përfundojnë në xhepat e reketxhinjve të BDI-së, por shkojnë tek vetë autorët. Kjo është arsyeja e vetme pse ata bërtasin.
Opozita është e dhimbshme për ata që e kanë parë kulturën vetëm si biznes privat. Por ky është realiteti i ri: kultura shqiptare nuk do të jetë më peng i mafies politike të BDI-së./fol.mk