8 C
Tetovo
E martë, 14 Tetor, 2025
BallinaLajmeOpinioneMES POLITIKËS, MASHTRIMIT DHE HEROIZMIT – KU KA MBETUR ALI AHMETI

MES POLITIKËS, MASHTRIMIT DHE HEROIZMIT – KU KA MBETUR ALI AHMETI

spot_img

Nga Latif ARIFI

Para pak çastesh, Ali Ahmeti publikoi një postim ku paralajmëron pjesëmarrjen e tij në protestën e Tiranës më 17 tetor, “në mbrojtje të UÇK-së”.

Por le ta themi hapur !
Të protestosh për UÇK-në në Tiranë dhe të mbrosh vlerat e saj, pasi për më shumë se 22 vite ke qenë në pushtet dhe nuk ke bërë asgjë për t’i mbrojtur ish-ushtarët e saj, janë dy gjëra diametralisht të kundërta.

Për të mos u keqkuptuar, UÇK-ja dhe simboli i saj janë për çdo shqiptar, por edhe për mua vlera më e madhe kombëtare.
Është historia e lavdishme që na bën krenarë dhe që asnjë politikë ditore nuk mund ta zbehë.
Por është fyerje ndaj asaj historie kur dikush e përdor për propagandë e për mbulim dështimesh politike.

Ali Ahmeti kishte 22 vite në pushtet për të miratuar ligje që do t’i jepnin dinjitet veteranëve dhe familjeve të tyre.

Nuk e bëri kurrë.
Përkundrazi, gjatë qeverisjes së BDI-së janë votuar të paktën katër ligje që kanë mbrojtur “Branitellat” duke u dhënë atyre beneficione, ndërsa ish-ushtarët e UÇK-së janë lënë pa status, pa mbrojtje dhe pa respekt institucional.
Kjo nuk është harresë, kjo është përzgjedhje politike.

Mos mendo se shqiptarët harrojnë.
Ata e dinë mirë kush ishin komandantët e vërtetë të UÇK-së, ata që sot nuk jetojnë më, sepse u lanë në harresë apo u vranë në prita të pabesë.
Kujto Komandant Telin, Harun Alinë, kujto ngjarjet e Kumanovës.
Historia e tyre nuk mund të fshihet me një fotografi apo me një udhëtim në Tiranë.

Edhe atëherë, në ditët e luftës, ti ishe dezertor, duke e parë luftën nga Prizreni.
Edhe sot, në ditën kur mbyllet fushata zgjedhore, dezerton sërish, por këtë herë politikisht, duke ikur në Tiranë për të marrë oksigjen politik që nuk e gjen më këtu, sepse shqiptarët të kanë lexuar dhe të kanë refuzuar.
Ka një kufi mes politikës dhe mashtrimit dhe Ali Ahmeti e ka kaluar atë shumë herë.

Sot ai nuk kërkon më besim, por durimin e atyre që ende nuk kanë kuptuar se çdo fjalë e tij është pjesë e një skenari të vjetër, të konsumuar.
Ai e quan “ideal” atë që është propaganda, e quan “kauzë” atë që është interes personal dhe përpiqet të shesë ndjenja kombëtare për të mbuluar pazare të vogla pushteti.
Kjo nuk është politikë, është manipulim me gjërat më të shenjta që ka një popull.

Lufta heroike e UÇK-së në Kosovë është një tjetër dimension që nuk mund të fshihet.
Krerët e saj, që vetë themeluan dhomat e posaçme të tribunalit të Hagës, sot po gjykohen nga një gjykatë që ata vetë e kanë krijuar dhe Ali Ahmeti madje ka bërë thirrje për themelimin e saj.

Vetëm kryeministri i Kosovës, atӓher në opozitë, Albin Kurti ka kundërshtuar publikisht këtë gjykatë, duke refuzuar të bashkëpunojë apo të dorëzojë ndonjë luftëtar apo udhëheqës të UÇK-së atje.

Në këtë kontekst, protesta e Ali Ahmetit nuk është për të bërë presion mbi gjykatën, por për të përdorur simbolin e UÇK-së për përfitime politike në zgjedhjet lokale në Maqedoni.

Padyshim, UÇK-ja është dhe mbetet vlera më e madhe e shqiptarëve, dhe e tillë do të mbetet gjithmonë.
Por është e rëndësishme të theksohet se simbolika e saj nuk mund të instrumentalizohet dhe veçanërisht jo për fushata politike të sotme.

Urojmë që vendimi i gjykatës të sjellë lirimin dhe pafajësinë e atyre që po gjykohen, dhe që njollat e dhëna ndaj UÇK-së të fshihen njëherë e përgjithmonë.

  • UÇK-ja duhet të mbetet e paster, si kryengritja më e suksesshme që një popull ka bërë për liri.
spot_img
Artikuj të ngjashëm
spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments