Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, gjatë ditës së sotme ka dhënë një lajm për banorët e rajonit të Pollogut. Në tentimin për të siguruar një ambient më të pastër dhe për mirëqenie më të madhe të qytetarëve, do të ndërtohet një deponi moderne në këtë rajon.
Mexhiti ka shkruar se Qeveria ka miratuar ndërtimin e një deponie moderne sanitare në rajonin e Pollogut, një projekt strategjik për menaxhimin efikas të mbeturinave.
“Ky investim prej mbi 17 milionë eurosh, i mbështetur nga BERZH-i, Zvicra, Suedia dhe Bashkimi Europian, do të sjellë një sistem rajonal modern që do të shërbejë për të paktën 10 vjet. Deponia e vjetër e Rusinos do të mbyllet, dhe në vend të saj do të ndërtohet një strukturë e re, sipas standardeve më të larta mjedisore dhe evropiane”, ka shkruar Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti ka shtuar se përveç ndërtimit të deponisë, projekti përfshin edhe: Ndërtimin e 5 stacioneve të transportit; Sigurimin e pajisjeve dhe automjeteve të reja; Krijimin e një sistemi të integruar për menaxhimin e mbetjeve
“Nuk po investojmë në thjesht në një deponi, por ky projekt është një investim në shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e gjelbër të qytetarëve tanë”, ka shtuar në fund zëvendëskryeministri i parë Mexhiti.