Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se çështja e Medresesë “Isa Beu” do të marrë zgjidhje ligjore përfundimtare pas dekadash manipulimesh politike nga qeveritë e mëparshme.
“Medreseja është një ndër çështjet me të cilën janë manipuluar fushatat zgjedhore për 30 vite, por kurrë nuk ka pasur zgjidhje. Kjo është e kaluara. Qasja jonë nuk është politika ditore, por zgjidhje ligjore,” theksoi Mexhiti.
Ai njoftoi se nga 2 qershori, ligji i posaçëm që përfshin Medresenë “Isa Beu” dhe shkollën e mesme të Kishës Ortodokse ka hyrë në shqyrtim publik për 30 ditë dhe aktualisht kanë mbetur edhe 17 ditë për komente nga institucionet kompetente.
Pas kësaj faze, ligji do të kalojë në procedurë qeveritare e më pas parlamentare, ku çdo deputet do të ketë mundësi të kontribuojë. Mexhiti sqaroi se ligji ofron zgjidhje të qëndrueshme për njohjen e diplomave të nxënësve që përfundojnë këto shkolla fetare.
“Për herë të parë po mbyllet edhe kjo çështje, që deri më sot ka qenë e trajtuar në mënyrë gjysmake. Tash po e zgjidhim me ligj të posaçëm dhe zgjidhje afatgjate,” tha ai.