Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti sot ka takuar kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri në rrjetin social Facebook, duke shkruar Qeveria për Tetovën.
Mexhiti thekson se me Kasamin kanë biseduar për shumë projekte, duke përfshirë projektin për gypin kryesor të ujësjellësit.
“Me z. Kasamin biseduam për shumë projekte, përfshirë për projektin e gypit kryesor të ujësjellësit, ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në qytetin e Tetovës. Qeveria jonë do të ndërtojë një rrjet të ri të kanalizimit në gjatësi prej 32.4 kilometra, të gjitha këto të financuara nga buxheti qendror. Përmes këtyre projekteve, jeta e qytetarëve do të përmirësohet dhe do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë vendin”, ka shkruar mes tjerash zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Ekologjisë Izet Mexhiti.