Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Ligji i gjuhëve do të mbetet i paprekur, pasi përbën një kategori kushtetuese. Gjatë një interviste për emisionin “Programi 200” të Alsat-M, Mexhiti theksoi se ekziston një marrëveshje brenda koalicionit qeverisës për ruajtjen e këtij ligji në formën aktuale.

“Nëse flasim kështu siç është ky ligj, ne kemi një marrëveshje brenda koalicionit se nuk do të preket Ligji i gjuhëve kështu siç është, për shkak se është edhe kategori kushtetuese, pra mbi ligjin,” tha Mexhiti.

Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj diskutimeve të mundshme për ndryshime ligjore dhe konfirmon angazhimin e qeverisë për respektimin e të drejtave gjuhësore, një çështje e ndjeshme dhe jetike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.