Pergjatë javës, bashkë me ekipin që ka hartuar Masterplanin për Çairin, ecëm nëpër lagjet tona, për të parë nga afër realizimin e projekteve që tashmë kanë hyrë në fazën e zbatimit.
Gjatë ecjes nëpër rrugët e Çairit, u prezantuan ndërhyrjet e realizuara deri tani dhe hapat e ardhshëm të zhvillimit urban. Ndër projektet kryesore që po ndryshojnë infrastrukturën lokale janë punimet në Rrugën Ferid Murat dhe Mit’hat Frashëri, ku përmirësimet në qarkullim, qasje dhe standard urban janë tashmë të dukshme. Paralelisht me këtë, po vazhdon ndërtimi i pishinës, një investim me rëndësi për sportin, rekreacionin dhe aktivitetet rinore, në komunë.
Një segment tjetër strategjik është fillimi i zgjerimit të bulevardit Cvetan Dimov, projekt që synon të rrisë funksionalitetin e trafikut dhe të krijojë një aks më të sigurt dhe më efikas për qytetarët. Në të njëjtën kohë, vendosja e kontenjerëve nëntokësorë për menaxhimin e mbeturinave po sjell një qasje më moderne ndaj higjienës publike dhe organizimit urban.
Kjo vizitë në terren shërbeu për të vlerësuar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme të punimeve, duke siguruar që çdo projekt të ecë sipas standardeve dhe afateve të planifikuara. Masterplani i Çairit po konkretizohet hap pas hapi, përmes investimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe në zhvillimin afatgjatë të komunës.

