Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti sot ka njoftuar se nuk e përjashton mundësinë që ai të kandidojë për pozitën e kryetarit të komunës së Çairit.
“Si VLEN këto ditë presim rezultate nga anketat nga agjencitë profesionale dhe ato do të na japin orientim se kush ku do të jetë, por nuk e përjashtoj edhe atë si mundësi”, deklaroi sonte Mexhiti në një intervistë dhënë për “Kanal5”.
Mexhiti tha se nëse BDI me të vërtetë del me Osmanin si kandidat se edhe ata “do të përgjigjen me artileri të ngjashme”.
“Nëse BDI shkon me nënkryetar dhe me anëtarë të cilët ishin kandidat për presiden të shtetit, ministër i Jashtëm edhe ne do të përgjigjemi me ‘artileri’ të ngjashme”, deklaroi Mexhiti.
Për atë se çka do t’u ofrojë qytetarëve VLEN-i nga komuna e Shkupit – Çair, ai tha se qytetarët shohin se Ahmeti dhe BDI por dorëzohen sepse nuk kanë njerëz të cilët do të vrapojnë në këto zgjedhje lokale.
“Nga 15 komuna të cilat janë me shumicë popullatë shqiptare para se të fillojë gara shtatë-tetë prej tyre ia dha Aleancës. BDI do të garojë vetëm në shtatë komuna, por mendoj se në rrethanat e tanishme ku BDI kryeson me 11-12 komuna në rastin më të mirë mund të konsiderojë vetëm në shtatë komuna. Gjithashtu po dorëzohen në këto zgjedhje lokale, po dorëzohen vetëm për ta shpëtuar veten. Ne do t’i ndjekim me vigjilencë këto rrethana dhe ngjarjet dhe do të përgjigjemi në mënyrë adekuate”, tha Mexhiti.