Kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për përfundimin me sukses të rikonstruksionit të plotë të rrugës “Josif Mihajlloviq” në lagjen Dyqanxhik, një projekt që ka sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturë dhe në cilësinë e jetesës për banorët e kësaj zone.
Punimet nisën nga baza, duke përfshirë rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, si dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, duke krijuar kushte moderne dhe të qëndrueshme infrastrukturore për komunitetin lokal.
Projekti u përmbyll me asfaltimin e plotë të rrugës, duke transformuar rreth 500 m² sipërfaqe. Ky investim mundëson lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët, si dhe një standard më të lartë jetese.
“Kjo është qasja jonë – punë që preket, investime që ndihen dhe rezultate që shihen në çdo lagje të Çairit,” theksoi Izet Mexhiti.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve konkrete që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

