Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij në fshatin Merovë, bëri të ditur se për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, shteti po u kthehet banorëve të kësaj ane me investime konkrete dhe të prekshme.
Sipas Mexhitit, fshati Merovë që nga viti 1996, nuk ka parë asnjë investim infrastrukturor nga shteti, ndërsa sot po bëhet realitet një projekt kapital prej 257.900 eurosh, i financuar nga Ministria e Mjedisit, për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, i cili do të garantojë ujë të pastër, të shëndetshëm dhe të sigurt për çdo familje.
“Merova është tokë e punëtorëve, e besës shqiptare dhe e njerëzve të ndershëm, të cilët çdo ditë kontribuojnë për përmirësimin e jetës së tyre dhe të fshatit. Sot, fjala jonë po përkthehet në vepra, duke sjellë ndryshim dhe duke kthyer shpresën aty ku për vite ishte harruar”, ka thënë Mexhiti para banorëve të Merovës.
Gjatë takimit me banorët, Mexhiti u prit me mirënjohje dhe besim, ndërsa qytetarët vlerësuan se ky investim po e ndryshon dukshëm jetën e tyre të përditshme.
Zëvendëskryetari i parë Izet Mexhiti siguroi banorët e këtij fshati se ky është vetëm fillimi i investimeve pasi që për Merovën dhe për shqiptarët, do të vazhdojmë të sjellim ndryshimin që ata meritojnë. Sot Merova është dëshmi se shteti i vërtetë është shteti i qytetarëve.