Kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti gjatë hapjes së Shtabit zgjedhor të VLEN sonte në Shuto Orizare ka thumbuar opozitën shqiptare.
“Këto të AKI-së, përveç që nuk mund t’i shohësh bashkë në tubime si ne, ne jemi bërë 6 liderë, ata nuk i sheh bashkë sepse nuk janë bashkë, i ka bërë zori bashkë dhe nuk e ka të lehtë z. Ahmeti t’i bëjë bashkë Selën me Taravarin”, tha Mexhiti.
Sepse, siç shtoi, njëri shpreh pakënaqësi, tjetri thotë unë do të dalë të fitojë me votat e BDI-së sa për të fituar dy tre komuna që të kthehet në qeveri.
“Dhe i shohim kur vijnë te VMRO, në qeveri te kryeministri edhe ata liderët lokal që mendojnë se nuk i shohim, sepse kërkojnë lëmoshë, shpëtim. Sa më shumë që VLEN rritet, hapet dhe po ndodhë populli këto fitore i frikësojnë, ata nuk e kanë dertin e ardhjes në qeveri, por t’i ikin përgjegjësisë. Ne u japim një porosi: ne jemi opsioni shqiptar, jemi këtu për të treguar atë që kemi bërë për një vit e gjysmë që u elaborua”, tha Mexhiti, njëherësh zëvendëskryeministër i parë.
Sipas tij, kjo qeveri punon në frymën e MO-së dhe mbështetet në një nga shtyllat kryesore si që është decentralizimi, sepse ideja e ndërkombëtarëve, siç shton Mexhiti, “ka qenë që të fuqizojmë komunat dhe qytetarët të realizojnë të drejtat e tyre brenda komunave ku jetojnë”.