Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski sot, në kuadër të seancës parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, u bëri thirrje kolegëve të tij nga partitë turke që t’i bashkohen shumicës qeveritare për, siç tha ai, të gjithë së bashku të punojnë për përmirësimin e situatës në vend.
Kjo “zgjatje e dorës”, siç theksoi Micevski, pasoi pasi Bejxhan Iljaz nga koalicioni i Frontit Evropian shprehu shqetësimin se nuk ka asnjë përfaqësues të komunitetit turk në përbërjen e re qeveritare.
Sipas Micevskit, aktualisht qeveria e VMRO-DPMNE-së mund t’u ofrojë partive turke një post zëvendësministror.
“Ju ftoj t’i bashkoheni qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit dhe kësaj shumice parlamentare, që të gjithë së bashku të punojmë për përmirësimin e situatës në vend. Për momentin ne mund të ofrojmë një pozicion zëvendësministror. Ejani, hyni në qeveri dhe të punojmë së bashku për sfidat për të cilat folët tani”, theksoi Micevski, duke shtuar se Partia Demokratike e Turqve zgjodhi të jetë pjesë e Frontit Evropian.
Iljaz falënderoi për ftesën dhe përsëriti se vendimi për të qenë pjesë e Frontit Europian është partiak.
Ai tha se në kohën kur po përpiqemi për një të ardhme më të mirë dhe kur na presin vendime të rëndësishme, shoqëria duhet të kujdeset më shumë për komunitetet pakicë.
“Njoftimet për ndryshimin e Kushtetutës, ku komunitetet joshumicë do të trajtohen si pakicë, është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Kornizë dhe mund të prishë seriozisht bashkëjetesën dhe barazinë qytetare. Në vend të këtyre njoftimeve, pres që të futen në rend dite sa më shpejt amendamentet kushtetuese për t’i hapur rrugë të ardhmes sonë evropiane”, tha Iljaz.
Para tij foli Sali Murat nga Fronti Evropian, i cili vlerësoi se programi qeveritar i VMRO-DPMNE-së nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen Kornizë.