BDI të përgatitet për përgjegjësi, ndërsa për zgjedhje do të përgatitemi kur të vijë koha. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, pas deklaratës së Ali Ahmetit, I cili shprehu gatishmëri për zgjedhje të parakohëshme parlamentare së bashku me ato lokale, vitin e ardhshëm. Mickoski nënvizoi se deklarata e tij gjatë seancës për pyetje deputetësh,ku ai sfidoi opozitën për zgjedhje të parakohëshme ishte vetëm përgjigje ndaj komentit të kreut të LSDM-së, por qeveria ka mandat 4 vjeçar dhe prioriteti i saj mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
“Unë kuptoj se udhëheqësia e BDI-së nuk dëshiron të jetë në opozitë, të frikësuar se më në fund, e ndjejnë edhe ata vendosshmërinë e Qeverisë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, e dijnë çfarë kanë bërë në 20 vitet e fundit, dhe e dijnë se ngadalë por sigurtë po vjen dita kur duhet të japin përgjegjësi. Prandaj si rezultat i asaj frike, ata në mënyrë joparimore inkurajohen dhe mendojnë se në këtë mënyrë do të tërheqin më shumë votues, porosia ime drejt tyre është që të përgatiten për përgjegjësi, ndërsa për zgjedhje kur të vijë koha do të përgatitemi”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takimi me qytetarët e komunës së Bogovinës, mbrëmë, ju përgjigj pozitivisht sfidës së Mickoskit për zgjedhje të parakohëshme. Ahmeti bëri thirrje për përgatitje të mirë për siç tha, në fushë të mejdanit.

„Mickoski dje vetë deklaroi se sot 1 vjet të jemi në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale. Opozita maqedonase duhet të jetë e guximshme sepse nuk kanë çfarë të humbin le të përgatitet mirë sot 1 vjet në fushë të mejdanit me VMRO-në, ne në fushë të mejdanit me të gjithë ata që nuk mendojnë si ne, dhe ata që nuk mendojnë si ne sot hiqen si përfaqësues të shqiptarëve në institucionet e vendit”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Pas kësaj deklarate reagoi edhe zëvendëskryeministri I parë I Qeverisë nga rradhët e VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai porositi BDI-në që të përgatitet për të qenë edhe gjatë kohë në opozitë.

“Në vend se të shtirret sikurse është ndonjë faktor i madh në skenën politike, BDI bën mirë që t’i kthehet reformës së brendshme dhe të pastrojë rradhët nga krimi i organizuar e korrupsioni”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe, i cili i gjatë seancës për pyetje deputetësh i bëri thirrje Mickoskit për dorëheqje, gjë që e hapi edhe debatin për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, tha shkurt për televizionin Alsat se lidhur me këtë çështje do të deklarohet të hënën./Alsat.mk