Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ka informacione që BDI-ja po përgatit destabilizim të shtetit, shkruan TV21. Mickoski tha se pret që këto veprime të BDI-së të nisin në vjeshtë.

“Kemi informacione që i kemi marrë nga disa kanale, se kjo udhëheqje e BDI-së, në përpjekje për ta mbrojtur kapitalin që e ka krijuar në 20-22 vitet e fundit, do të ndërmarrë hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit, gjë që është shumë e rëndësishme të përmendet, e ne si Qeveri kemi të drejtën e plotë ta mbrojmë integritetin dhe sovranitetin territorial dhe paqen e qytetarëve, ky edhe është qëllimi i një shteti. Presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë, në bazë të atyre informacioneve që i kemi. Të presim që koha të tregojë, nëse ato informacione do të konfirmohen apo informacionet nuk do të jenë të sakta”, tha Mickoski.

I pyetur për konstruktivitetin që BDI-ja tregoi në mbështetje të ligjeve për riformatim të ministrive, Mickoski tha:

“Çdo konstruktivitet në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetës, përmirësimit të standardit, mbështetje në procesin e reformave, në përparimin e qytetarëve është e mirëseardhur nga çdo parti, nëse e mbani mend në një deklaratë timen e kam thënë se më vjen keq që edhe parti të tjera në Kuvend, koalicionit i prirë nga LSDM dhe partia Levica, nuk i mbështetën këto ndryshime ligjore, por vetëm BDI-ja, dhe pres që në të ardhmen kur të kemi ligje reformuese, që nënkuptojnë të ardhme dhe standard më të mirë për qytetarët, praktikisht të mbështeten nga të gjithë aktorët politikë, e jo vetëm nga BDI, apo koalicioni i drejtuar nga LSDM ose parti të tjera, sepse në fund të ditës paguhemi nga qytetarët dhe duhet të punojmë për interesin e tyre, por njëkohësisht kur marrim informacione për sjellje devijuese të mundshme të grupeve, partive politike apo çfarëdo qoftë, jemi të obliguar që këtë ta kumtojmë në publik, ndryshe s’do të ishim qeveri që përmbush pritjet e qytetarëve”, deklaroi Mickoski./tv21.tv