Qeveria po vazhdon me mbledhjen e dëshmive për, siç thonë, krimet dhe korrupsionet e bëra nga zyrtarët e qeverisë së kaluar. Vjeshtën që vjen do të ketë mjaft dosje me dëshmi të forta, paralajmëron kryeministri Hristijan Mickoski. Kur të njejtat të fillojnë të publikohen, tha se qytetarët do ta kenë të qartë pse po paralajmërohen skena destabilizimi.
“Absolutisht po, po punohet. Dalëngadalë po kompletohen organet hetuese dhe pres që këtë vjeshtë do të kemi mjaftë dosje, të dokumentuara me dëshmi të forta. Qytetarët do ta kenë të qartë pse janë këto veprime konstruktive, pse ende janë aktivë politikanët keqbërës të cilët duan të krijojnë skenare monstruoze por ne jemi këtu do të luftojmë. Me patjetër duhet ta pastrojmë Maqedoninë nga krimi, nëse duam të shkojmë përpara”, u shpreh kryeminsitri i vendit Hristijan Mickoski.
Përgjegjësi penale paralajmëron edhe ministri për eurointegrime, Orhan Murtezani. Në Daily Click, tha se në Qeveri thuajse në çdo seancë diskutohet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Besoj që shumë shpejt kur gjërat fillojnë të dalin në opinion, më konkrete, pastaj do ta kemi më të qartë gjithë këtë zallamahi të BDI-së me legjitimitetin e me platformën për ndarje të shtetit e kështu me radhë”, deklaroi Orhan Murtezani – ministër për Eurointegrime – VLEN.
Sa i përket përgjegjësisë për vepra të mundshme kriminale, Kreshnik Bekteshi nga BDI, para pak ditësh në Daily Click tha se nuk është kryeministri ai i cili duhet të tregojë nëse dikush ka bërë krime por këtë duhet ta bëjë Revizioni i shtetit.
BDI ka dalë hapur për vetting të të gjithë funksionarëve nga pavarësia e RMV deri në ditën e sotme. Propozim i cili u refuzua pikërisht nga VMRO-PDMNE. Unë u bëj thirrje edhe mediave edhe qytetarëve që të pyesin pse VMRO-DPMNE4 dhe shumica për momentin e refuzojnë vetingun edhe të funksionarëve, që mund ta zgjerojmë edhe në fusha të tjera siç është gjyqësori dhe prokuroria”, potencoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.
Paralajmërime për përgjegjësi penale për veprimet gjatë qeverisë së kaluar ka patur që kur pat nisur fushata zgjedhore. Të gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, do të përfundojnë prapa grilave ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski.