Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria është duke punuar për një zgjidhje të qëndrueshme lidhur me kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke theksuar se është formuar një grup ekspertësh kushtetues për këtë çështje.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Mickoski tha ” protesta e paralajmëruar e studentëve mbështetet nga një parti opozitare, e cila sipas tij nuk e ka zgjidhur këtë problem për më shumë se dy dekada”.
Ai e cilësoi si hipokrite mënyrën e komunikimit të opozitës me publikun për këtë temë.
Kryeministri theksoi gjithashtu se studentët kanë përfunduar arsimin e lartë në gjuhën e tyre amtare, në këtë rast në gjuhën shqipe, ndërsa kujtoi se qeveria e kaluar kishte miratuar Ligjin për Gjuhët, i cili është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht në pjesën që lidhet me gjyqësorin.
Sipas tij, ekziston edhe një mendim negativ nga Komisioni i Venecias për dygjuhësinë në sistemin gjyqësor, duke theksuar se sfidat lidhen kryesisht me sundimin e ligjit.
Mickoski nënvizoi se Qeveria ka formuar një grup ekspertësh kushtetues që po punojnë për një zgjidhje që do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Ai siguroi studentët se do të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, duke bërë thirrje që ata të mos lejojnë, sipas tij, të përdoren për qëllime politike.
“Siç janë gjetur zgjidhje për shumë sfida nga e kaluara, do të gjendet edhe për këtë çështje,” deklaroi Mickoski./Ora24.tv

