Në një kohë kur Aleanca për Shqiptarët po përjeton turbullira të thella të brendshme, deputetja Mimoza Musa ka bërë një distancim të qartë nga drejtimi politik i Arben Taravarit. Në deklarimet e fundit publike, Taravari nuk ishte në gjendje të artikulojë një qëndrim të qartë për pozicionin e saj, duke thënë se “nuk është bash e definuar” dhe se duhet “t’i jepet hapësirë edhe një herë për të biseduar”.
Në të vërtetë, Mimoza Musa, me vendimin e saj për të mos ndjekur drejtimin e Taravarit, ka treguar qartësisht se nuk identifikohet më me projektin politik të ASh-së së rilindur nën këtë lidership. Ky qëndrim përbën një sinjal të qartë se ajo refuzon të bëhet pjesë e paqartësive politike dhe lëvizjeve të ngutshme, duke ruajtur integritetin dhe dinjitetin e saj si përfaqësuese e zgjedhur.
Nga ana tjetër, ajo që ka tronditur opinionin publik ka qenë reagimi i deputetit Halil Snopçe, i cili, pa asnjë rezervë, ka përdorur një fjalor të ulët dhe rrugaçëror ndaj kolegëve të tij që vendosën të qëndrojnë me koalicionin VLEN. Ai i quajti ata “pemë të kalbura”, një shprehje që tejkalon çdo normë etike të komunikimit politik dhe dëmton rëndë imazhin e një deputeti të Kuvendit.
Kjo sjellje tregon degradimin e kulturës politike në disa segmente të ASh-së dhe nxjerr në pah mungesën e qasjes institucionale, si dhe urrejtjen personale që është vënë përpara interesit të përbashkët.
Publiku shqiptar pret nga përfaqësuesit e vet që të udhëheqin me dinjitet, të artikulojnë me respekt dhe të veprojnë me përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes dhe ofendimet personale nuk kanë vend në një demokraci funksionale./fol.mk