Piku i gripit sezonal pritet në dy deri tre javët e ardhshme. Aktualisht nuk është regjistruar numër i shtuar i pacientëve me grip, krahasuar me vitet e shkuara në po të njëjtin sezon. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se shtimi i të prekurve nga gripi në këtë periudhë është normale, sikurse çdo vit tjetër. Ai apelon qytetarët të vaksinohen, pasi kanë mbetur edhe tre mijë vaksina anti-grip.
“Qytetarët i informoj që të mund të vaksinohen më tej. Ne kemi diku deri në tre mijë vaksina, të cilat i kemi në stok. Ato mund të përdoren. Kisha lutur që qytetarët të shkojnë pa pasur nevojë të regjistrohen në portalin për vaksinim, direkt të shkojnë në ndonjë institucion shëndetësor dhe të vaksinohen, sidomos apeloj qytetarët që janë të kategorive të rrezikuara, siç janë të moshuarit, personat të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm, sidomos në shëndetësi dhe gratë shtatzëna.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Deri më tani nëpër punkte shëndetësore janë vaksinuar 77 mijë persona të kategorive të ndryshme.




