Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot ka vizituar repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, ku ka dhuruar paketa të Vitit të Ri për fëmijët që janë duke u trajtuar në këtë institucion shëndetësor.
Gjatë vizitës, ministri Aliu theksoi rëndësinë e dimensionit njerëzor në sistemin shëndetësor, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
“Sot vizitova repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, ku u dhurova paketa të Vitit të Ri fëmijëve që janë në trajtim. Këto janë momente që na kujtojnë se shëndetësia nuk është vetëm një sistem, por mbi të gjitha kujdes për njeriun, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët,” u shpreh Aliu.
Ai uroi shërim të shpejtë për fëmijët dhe shprehu mirënjohje për stafin mjekësor.
“Fëmijëve u uroj shërim të shpejtë, ndërsa punonjësve shëndetësorë u shpreh mirënjohje të sinqertë për profesionalizmin dhe përkushtimin që tregojnë çdo ditë,” deklaroi ministri Aliu.
Vizita e ministrit Aliu u vlerësua si një gjest solidariteti dhe mbështetjeje për pacientët më të vegjël dhe për stafin shëndetësor në prag të Vitit të Ri.












