Policia është duke hetuar veprimet jo ligjore të Lotarisë Shtetërore dhe pas përmbylljes së procedurave mund të priten edhe kallëzimet e para penale. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se Ministria e Financave ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e duhura mbi indikacionet se Lotaria Shtetërore ka ndarë licenca në kundërshtim me ligjin.
“Për gjithçka që kemi dëshmi, për çdo krim të kryer, për gjithçka që ka dëmtuar buxhetin dhe qytetarët e vendit, do të procedohet ligjërisht”, tha Pançe Toshkovksi, Ministër i Brendshëm.
Javën e kaluar Qeveria konstatoi se Lotaria Shtetërore ka dhënë licenca në kundërshtim me ligjin, ndërsa me vendim të organit ekzekutiv dy shoqatave tregtare iu morën licenca për shkak të fshehjes së tatimit.
Hetimi filloi nga procedura për interpretim autentik të nenit 7 nga Ligji për lojërat e fatit nga i cili ka buruar konstatimi se Lotaria Shtetërore edhe pse nuk ka pasur licencë për vetë, ka ndarë licenca ndaj shoqatave tjera tregtare në kundërshtim me ligjin.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se për një veprim të tillë kanë ndikuar disa ish ministra nga Qeveria e kaluar. / Alsat.mk