Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njofton se prej sot në faqen e saj zyrtare të internetit është aktivizuar një modul elektronik i dedikuar për mjekët që aktualisht punojnë ose janë në specializim jashtë vendit, përmes të cilit ata mund të shprehin interes për bashkëpunim me sistemin shëndetësor të vendit, shkruan gazeta KOHA.
Ky hap vjen në kuadër të angazhimeve institucionale për digjitalizimin e shëndetësisë dhe synon krijimin e një kanali të drejtpërdrejtë bashkëpunimi profesional me diasporën mjekësore. Përmes këtij moduli, Ministria synon të lehtësojë hartëzimin e profileve dhe ekspertizave që mund të kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.
Bashkëpunimi me mjekët nga diaspora parashihet të përfshijë trajnime, edukim profesional, mentorim, konsultime, mbështetje projektore, si dhe forma të tjera të angazhimit profesional, në përputhje me nevojat e institucioneve shëndetësore dhe profilin e aplikantëve.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka ftuar publikisht të gjithë mjekët e interesuar të aplikojnë.
“Me këtë rast, i ftoj të aplikojnë mjekët tanë që punojnë në qendra mjekësore jashtë vendit, mjekët që janë në specializim ose subspecializim jashtë vendit, si dhe mjekët e angazhuar në institucione akademike dhe kërkimore-shkencore ndërkombëtare”, thekson ministri Aliu.
Aplikimi realizohet ekskluzivisht përmes modulit elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas aplikimit, Ministria do t’i kontaktojë mjekët për forma konkrete bashkëpunimi që përputhen me profilin dhe ekspertizën e tyre profesionale.
Në modulin elektronik me titull “Mjekë nga diaspora”, aplikantët duhet të plotësojnë të dhëna personale dhe profesionale, informacione mbi fushat kryesore të ekspertizës, licencat dhe certifikatat, listën e publikimeve shkencore, si dhe segmentet e bashkëpunimit për të cilat shprehin interesim.
Ministria vlerëson se ky mekanizëm do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve me diasporën mjekësore dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend. (koha.mk)

