Në vend sot do të mbizotërojë mot i vranët, me reshje të herëpashershme lokale shiu. Do të fryjë erë e lehtë, në disa vende e përforcuar, nga drejtimi jugor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 9 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 6 deri në 14 gradë Celsius.
Në Shkup pritet mot i ndryshueshëm me vranësira dhe kushte për reshje të herëpashershme shiu. Era do të jetë e lehtë, herë pas here e përforcuar, nga drejtimi jugor. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 3 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë rreth 10 gradë Celsius.
Deri në fund të javës, nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, moti do të mbetet i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të herëpashershme lokale shiu, të cilat në disa zona do të jenë më intensive, mbi 20 litra për metër katror. Deri të mërkurën do të fryjë erë e lehtë, ndërsa përgjatë Luginës së Vardarit herë pas here e përforcuar, kryesisht nga jugu. Të enjten dhe të premten era do të ndryshojë drejtimin në veri, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave.




