Në dy muajt e fundit janë ngritur mbi 11 kallëzime penale, ndaj personave nga qytete të ndryshme, për ndezje të qëllimshme të zjarreve. Vetëm në dy ditët e fundit, nga MPB-njoftojnë se janë zbuluar disa raste të personave që kanë shkaktuar zjarr qëllimisht në disa lokacione.
“Gjatë patrullimit të rrugës afër Miladinovcit, nga ana e policisë është vërejtur tym i zi, dhe janë gjetur dy persona të cilët kishin ndezur kabllo pranë barit të thatë dhe mbeturinave. Me një reagim të shpejtë, është parandaluar përhapja e zjarrit dhe është shuar. Është përcaktuar se personat në fjalë janë I.B. (39) nga Kumanova dhe A.B. (31)”,njoftojnë nga MPB-ja.
Një rast tjetër nga policia është zbuluar edhe në zonën e Njësisë së Zjarrfikësve të Gazi Babës, ku, gjatë kontrollit të tre të miturve, shtetas të huaj, kanë gjetur dy shishe me nga 1.5 litra benzinë, dy fishekzjarrë, një çakmak dhe ngjitës të lëngshëm në çantat e tyre.
Në kuadër të aktiviteteve të gjera të ndërmarra në lidhje me situatën me zjarret, sipas MPB-së është arrestuar edhe një person nga Tetova i cili gjatë punës bujqësore kishte ndezur arën e tij dhe mbeturinat.
“Gjatë ditës së djeshme rreth orës 20:00, zyrtarë të SPB – Tetovë, kanë privuar nga liria 74 vjeçarin S.S. nga Reçica e Vogël, i cili gjatë kryerjes së punëve bujqësore në arën e tij, në rrugën e Ilindenit në afërsi të një pompe të benzinës, ka mbledhur, barishte të thata, shkurre dhe mbeturina tjera dhe ua ka vënë flaken. Edhe për kundër paralajmërimeve të shumta të institucioneve të ndryshme të kenë kujdes që të mos ndizen zjarre në ambiente të hapura për arsye të thatë dhe të nxehtë mund të perhapen zjarret shumë shpejtë për shkak të vegjetacionit të thatë”, deklaroi Fatmir Rexhepi – Zëdhënës i SPB – Tetovë.
Sipas nenit 288 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, për personin që shkakton rrezik serioz për jetën, trupin e njerëzve ose pronën në masë të madhe, dënimi me burg shkon nga 6 muaj deri në 5 vite. /Alsat.mk