Qeveria ka miratuar sot Propozim-Ligjin për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare, një hap historik që i jep fund diskriminimit institucional ndaj nxënësve të medresesë dhe shkollave të tjera të karakterit fetar.
Ky ligj garanton që diplomat e medresesë të pranohen të barabarta me diplomat e të gjitha shkollave të mesme në vend, duke u mundësuar kështu nxënësve qasje të plotë në maturën shtetërore dhe në regjistrimin në universitetet publike dhe private në vend.
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, përmes një statusi në Facebook, e ka cilësuar këtë si një ditë të rëndësishme për të gjithë besimtarët në vendin tonë. “Qeveria sapo e miratoi Propozim Ligjin për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare. Ky propozim ligj mundëson që diplomat e medresesë të pranohen njëjtë si çdo diplomë tjetër e secilës shkollë të mesme në Maqedoninë e Veriut. Ditë e madhe për besimtarët në vendin tonë, ditë e madhe për medresenë!”, thotë Murtezani.