22 Nëntori shënon njërën nga datat më të rëndësishme në historinë e identitetit dhe kulturës sonë kombëtare – Ditën e Alfabetit.
Në këtë ditë, më 1908, në Manastir, në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që sot është shndërruar në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe delegatë dhe figura të shquara të arsimit, kulturës dhe patriotizmit shqiptar në krye me Mit’hat Frashërin, nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergji Qiriazi si dhe delegatë të shquar si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi- gruaja e vetme pjesëmarrëse, dhe Fehim Zavalani u mblodhën në Kongresin e Manastirit për të marrë një vendim që do të përcaktonte përfundimisht rrugën e gjuhës shqipe dhe të kombit tonë.
Vendimi për unifikimin e alfabetit nuk ishte vetëm një akt gjuhësor, ishte një hap i madh drejt bashkimit, modernizimit dhe forcimit të identitetit kombëtar.
Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e literaturës kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një platforme për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Alfabeti i sotëm është simbol i punës së palodhur, i vizionit dhe i sakrificës së shumë brezave që besuan se gjuha është ura më e fortë që lidh një popull.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2024 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare shtetërore atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
Sot, kjo ditë na rikujton vlerën e dijes, arsimit dhe kulturës.
Na kujton se sa e rëndësishme është të ruajmë e të përparojmë gjuhën shqipe, ta përdorim me përkushtim dhe ta transmetojmë me krenari tek brezat e rinj.
Në këtë përvjetor, le të nderojmë të gjithë ata që punuan për gjuhën tonë, si dhe të gjithë mësuesit, studiuesit dhe profesionistët që sot vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e saj.
Le të mbajmë gjallë gjuhën tonë, si thesarin më të çmuar të identitetit shqiptar.

