Aleanca ushtarake e NATO-s zhvillon një takim jozyrtar, dyditor në Pragë, sot dhe nesër nën presionin e disa anëtarëve të saj, përfshirë Francën, të cilët duan që Ukraina të godasë territorin rus me armët që i janë dhënë Kievit nga vetë aleatët e NATO-s. Debati për përdorimin ose jo të armëve që vendet perëndimore i kanë ofruar Kievit, ka sjellë trazira në vendet e NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në prill të këtij viti, ka propozuar që aleatët të bëjnë një zotim shumëvjeçar për ndihmë ushtarake për Ukrainën. Jo zyrtarisht, zyrtarët kanë përmendur shumën prej 100 miliardë eurosh për pesë vitet e ardhshme. Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, në takimin e tij me ministrin e jashtëm çek, tha se jemi më të fortë kur punojmë së bashku.

“Ne jo vetëm që jemi më të fortë, kemi më shumë gjasa të parandalojmë agresionin kur jemi të bashkuar, kur punojmë së bashku. Dhe parathënia bazë e aleancës sonë është se“një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”. Dhe kjo është në fakt mënyra më e fortë, mënyra më efektive për të parandaluar agresionin”, deklaroi Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit.

Nga ana tjetër, Kremlini ka reaguar për takimin e NATO-s. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov beson se teorikisht mund të gjendet një zgjidhje politike në Ukrainë, nëse Perëndimi ndalon furnizimin me armë. Në një intervistë për agjencinë Ria Novosti, ai u shpreh se sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më shpejt do të fillojë një zgjidhje politike. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se “Vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shtetet e Bashkuara në veçanti, kryeqytetet e tjera evropiane, javët e fundit kanë nisur një raund të ri përshkallëzimi. Ata po e inkurajojnë Ukrainën në çdo mënyrë të mundshme për të vazhduar këtë luftë të pakuptimtë. E gjithë kjo, natyrisht, do të ketë pasoja të pashmangshme dhe në fund do të jetë shumë e dëmshme për interesat e atyre vendeve që kanë marrë rrugën e përshkallëzimit”, tha Peskov. Në takimin dy ditor të NATO-s, situatat në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi do të jenë të gjitha në agjendë. /Alsat.mk