Pasi mori miratimin nga Ministria e Financave, të premten më 13 qershor M-NAV- Shoqëria Aksionare në Pronësi Shtetërore për Menaxhimin e Trafikut Ajror dhe Dhënien e Shërbimeve në Navigacionin Ajror, publikoi një shpallje për punësimin e punonjësve me arsim të mesëm dhe për këshilltarë me arsim universitar, shkruan Sdk.mk.
Sipas kontrollorëve të fluturimeve me të cilët bisedoi SDK, këto profile që kërkohen në shpalljet e publikuara jo vetëm që nuk janë të nevojshme, por me dhjetëra persona të tillë tashmë i kanë mbipopulluar sektorët e ndryshëm të M-NAV dhe në vend që të angazhohen ato, tani po punësohen edhe të tjerë.
Sindikata e kontrollorëve të fluturimeve po shqyrton riaktivizimin e grevës gjatë sezonit në muajin korrik, ndër të tjera, për shkak të vazhdimit të punësimeve të panevojshme partiake, ashtu siç bënte udhëheqësia e mëparshme e M-NAV.
Sipas shpalljes do të punësohet një operator me arsim të mesëm të nivelit të 4-të në qendrën kombëtare për transmetimin e të dhënave, autorizimin dhe mbikëqyrjen e fluturimeve. Paga fillestare do të jetë 66.269 denarë – neto.
Siç thuhet në shpallje, dy persona me arsim të mesëm e pa përvojë pune do të punësohen në Departamentin e informacionit aeronautik. Paga e tyre do fillojë nga 51.325,00 denarë.
Do të punësohet edhe një teknik për kondicionim dhe mirëmbajtje teknike në Departamentin e kondicionimit dhe mirëmbajtjes teknike dhe edhe për këtë vend pune kërkohet arsim i mesëm. Tekniku i kondicionimit do të punojë vetëm nga e hëna deri në të premte për një pagë fillestare prej 50.179 denarë.
Me këtë shpallje do të punësohen edhe dy ndihmës për zhvillim, investime dhe prokurim, në Sektorin e teknologjisë së aviacionit, të cilët duhet të kenë fituar të paktën 240 kredite sipas ECTS ose të kenë përfunduar shkallën VII/1, shkenca ekonomike, MFS, FETI (FET) – teknologji kompjuterike dhe automatikë ose inxhinieri softuerike dhe sisteme informatike ose elektronikë dhe/ose telekomunikacion. Ata duhet të kenë të paktën 5 vjet përvojë pune.
Paga fillestare e tyre do të jetë 99.621 denarë neto në muaj.
Me këtë shpallje secili nga drejtorët punëson edhe këshilltarin e tij.
Kështu, do pranohet një këshilltar i pavarur për punët juridike në Njësinë e punëve juridike, në Sektorin e punëve financiare, juridike, zhvillimit dhe investimeve – 1 (një) realizues. Ai duhet ta ketë përfunduar Fakultetin Juridik. Do të punojë nga e hëna deri të premten për një pagë fillestare prej 65.899 denarësh.
Pastaj, në Njësinë e punëve të përgjithshme në Sektorin e punëve financiare, juridike, zhvillimit dhe investimeve do të pranohet një këshilltar i pavarur – 1 (një) realizues. Ai mund të ketë kryer çfarëdo fakulteti, ndërsa edhe paga e tij do të fillojë nga 65.899 denarë.
“Nuk kemi nevojë për këto punësime. Por nëse ka nevojë për vende të tilla pune, ato mund të realizohen duke i marrë punonjësit nga sektorët e mbipopulluar që janë në M-NAV për një kohë më të gjatë. Sindikata do ta marrë parasysh edhe këtë shpallje të fundit për punonjës të panevojshëm kur të mblidhet këto ditë për ta riaktivizuar grevën e përgjithshme, sepse nuk është zbatuar marrëveshja e vitit të kaluar, në të cilën kushti kryesor për të mos e mbyllur qiellin mbi Maqedoni me grevë ishte që të lejohej Eurocontrol të vijë dhe të kryejë një studim të pavarur lidhur me atë nëse M-NAV ka nevojë për vende të reja pune, çfarë kategorish të punonjësve i nevojiten, në cilët sektorë mungojnë ekspertë dhe për sa vende pune kemi nevojë”, thonë nga Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimeve.
Më 9 janar të vitit të kaluar kjo sindikatë me protesta e ndryshoi udhëheqësinë e mëparshme në krye me drejtorin Fahrudin Hamidi. M-NAV tani drejtohet nga: Vlladimir Risteski – Kryetar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv i Sektorit të Navigacionit Ajror, Kliment Çepunjoski – Anëtar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv i Sektorit të Teknologjisë së Aviacionit dhe Fatmir Zimberi – Anëtar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv i Sektorit të Punëve Financiare, Juridike, Zhvillimit dhe Investimeve.
Kujtojmë se M-NAV ka qenë në qendër të organeve hetuese. Më 26 maj Drejtoria e Policisë Financiare ngriti një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër V.K. në cilësinë e ish-drejtorit ekzekutiv i Sektorit për navigim ajror Shoqërinë Aksionare shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV ShA Shkup për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale, “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, neni 353 paragrafi 2 i Kodit Penal” dhe kundër B. A. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të Departamentit të Prokurimit Publik në Shoqërinë Aksionare shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV ShA Shkup për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale, “Punë e papërgjegjëshme në shërbim, neni 353-c, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Ndryshe, më 5 janar të vitit 2024, disa persona, në krye me Bekim Nezirin, hynë me dhunë në M-NAV pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturimeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime. Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, bëri që Qeveria e atëhershme e RMV-së, më 9 janar, t’i shkarkojë drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.