“S’ka punëtor, mungojnë, dhe ka ardhur koha që të sjellim punëtorë nga India apo nga Bangladeshi, tanët ikën gjithë nëpër Evropë”, tha Izet Latifi – fermer.
Ky është një ndër problemet me të cilat përballen sot bujqit, mungesa e punëtorëve.
Në Krushopek të komunës së Sarajit filloi vjelja e qershive.
Tregu dhe çmimi i shitjes janë të garantuara, por ajo që i shqetëson kultivuesit e kësaj kulture bujqësore është mungesa e fuqisë punëtore.
“Nga 25 euro i paguajmë që të mbledhin qershitë dhe nuk vjen askush. Tani e kanë sezonin dhe duhet brenda një jave të mblidhen se çdo ditë piqen më shumë. Problemi kryesor është mungesa e punëtorëve, s’ka punëtorë, ja mundohemi vetë, ndonjë ditë vjen ndonjë punëtorë, e ashtu”, tha Izet Latifi – fermer.
Izet Latifi ka mbi 100 pemë qershish të cilat kanë edhe shpenzime për mirëmbajtjen deri në sezonin e shitjes. Ai thotë se ia vlen të investohet në këtë kulturë bujqësore.
“Çmimi është i mirë nuk është keq por kjo nuk ndikon pasi s’ka kush ti mbledhë, nuk vinë, e çmimi i mirë është, vitin e kaluar ishte më i dobët por këtë vit më i mirë është”, theksoi Izet Latifi – fermer.
Qershitë edhe këtë vit janë bërë luks për shumë qytetarë për shkak të çmimit të lartë në treg i cili shkon nga 180 denarë deri në 220 denarë për kilogram.
Kërkesa e lartë për eksport por edhe çmimet e larta të produkteve bujqësore kanë bërë që përveç kësaj kulture bujqësorë edhe çmimet e produkteve tjera në treg të jenë të larta. / Alsat.mk